Dënohen me 118.5 vjet burg 16 të akuzuarit për një skemë mashtrimi me call center

Tiranë, 28 tetor 2025 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e shpalli të martën më 28 tetor vendimin për dënimin e 16 të akuzuarve për përfshirje në një skemë mashtrimi të qytetarëve italianë nga një call-center në lagjen “Don Bosko” në Tiranë.

Gjykata vendosi të dënojë me gjithsej 118.5 vjet heqje lirie 16 të pandehurit e përfshirë në skemën e mashtrimit. Çështja u shqyrtua me gjykim të shkurtuar dhe të pandehurit përfituan uljen e 1/3 së dënimit.

Konkretisht, u dënua përfundimisht me 8 vjet heqje lirie i pandehuri Bruno Çobo; me nga 7 vjet e 4 muaj burg të pandehurit Elisa Çaçi (Caci), Gilbert Pushani, Valbona Abedinaj e Erion Kastrati 7 vjet e 4 muaj; si dhe me 6 vjet e 8 muaj burgim të pandehurit e tjerë, Aldo Pasku, Bruno Gjika, Rezarta Ibrahimi (Çaçi), Orland Cani, Florjan Bregu, Hamit Dobi, Greta Gjoci (Pepa), Gjin Shelnishta, Antoneta Malo (Pepkolaj), Silvana Veliu dhe Mojsi Zuna.

SPAK nisi procedimin penal në vitin 2021 për veprat penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në dëm të disa personave, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për veprën penale të “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal”, pas një hetimi që kishte nisur më parë nga drejtësia italiane.

Bruno Çobo u akuzua si krijuesi i grupit kriminal, ndërsa të dënuarit e tjerë se pjesëmarrës. Për të realizuar veprimtarinë e paligjshme, fillimisht kontaktoheshin personat nëpërmjet telefonit dhe u propozohej blerja on line e aksioneve “Amazon”, me premtimin e pa vërtetë të fitimit të shumave të majme dhe të shpejta. Në momentin që klienti në dijeni pranonte nënshkrimin e investimeve, i dërgohej një e-mail që përmbante një link nëpërmjet të cilit lidheshin për të filluar blerjen e titujve.

Viktima shkarkonte sipas udhëzimeve te telefonuesit aplikacionin “AnyDesk”, faktikisht duke i lejuar mashtruesit që të futej si i jashtëm në kompjuterin e tij dhe të marrë kodet e sigurisë të bankës, prej nga më vonë futeshin direkt në numrat e llogarive bankare.

Sipas prokurorisë, skema parashikonte që të merrte dhe më shumë para duke i bërë viktimat të besonin se duhej të paguan një lloj komisioni bankar për të marrë në zotërim shumat që ‘fitonin’ nga investimi.

Për të humbur gjurmët, grupi e kryente lidhjen “AnyDesk” në kompjuterat personal të viktimave duke përdorur një server italian të provider-it Aruba, që, sipas SPAK, garantonte në fakt fshehjen reale të adresës IP nga ku kishte kryer komunikimi, duke bërë serverin si nyje të vetme për të gjitha komunikimet.

Hetimi për këtë skemë mashtrimi ka nisur nga autoritetet italiane në shtator 2020 pas kallëzimit të një shtetasi italian, i cili kishte rënë pre e mashtrimit duke ‘investuar’ në këtë skemë 700 mijë euro.

(Reporter)