Dënohet gjuha diskriminuese ndaj një personi të verbër në Big Brother VIP Albania

Tiranë, 4 shkurt 2026 – Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë e kanë dënuar gjuhën diskriminuese të përdorur ndaj një personi me aftësi të kufizuara në shikim në programin “Big Brother VIP”.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka shprehur keqardhje për situatat e përsëritura në këtë format televiziv dhe ka bërë thirrje për parandalimin e situastave të tilla.

“KMD shpreh keqardhjen për situatat e përsëritura në këtë format televiziv me shikueshmëri të lartë, që ka një ndikim të gjerë në diskutimin dhe opinionin publik, dhe i fton të jenë më të vëmendshëm në transmetimin publik, me qëllim parandalimin e situatave që mund të shkojnë në kufijtë e gjuhës së urrejtjes”, shkruhet në reagimin publik të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka shprehur shqetësimin edhe për “paragjykimet dhe stereotipet negative që rëndojnë sidomos tek njerëzit më të pambrojtur” dhe kërkon nga operatori që “të garantojë moscenimin e dinjitetit njerëzor”.

“KMD fton produksionin e reality show Big Brother VIP dhe operatorin kombëtar Top Channel të analizojë protokollet e formatit, si edhe të krijojë mundësinë e një diskutimi, po në të njëjtin format, mbi personat me aftësi të kufizuara dhe zërat e tyre”, përfundon deklarata e Komisionerit  për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Edhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka reaguar ndaj këtij episodi, duke e quajtur si “mesazh të rrezikshëm që cenon dinjitetin njerëzor” gjuhën e përdorur në këtë program.

“Verbëria nuk është dënim dhe nuk është arsye për poshtërim publik. Një gjuhë e tillë nuk sulmon vetëm një individ, por prek një komunitet të tërë dhe normalizon përjashtimin social”, thuhet në reagimin e Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë.

Të martën në darkë, në programin Big Brother VIP në Top Channel u shfaq një video ku njëri prej konkurrentëve bëri një deklaratë diskriminuese dhe fyese ndaj një konkurrenti të verbër në këtë format, duke iu drejtuar me frazën “Këtë [ verbërinë] e ke dënim nga Zoti”.

(r.m.)

Comment

*