Tetovë, 17 maj 2023 – Gjykata Themelore në Tetovë e ka dënuar me një vit e tre muaj burgim, mjekun anesteziolog Valton Dervishi, për publikimin e një incizimi nga Reparti i Gjinekologjisë në Tetovë, ku edhe ka qenë i punësuar.
Dervishi është dënuar për veprat, “punë të pakujdesshme në shërbim” dhe “incizim të paautorizuar”.
Ai e ka pranuar fajësinë para trupit gjykues dhe ka kërkuar falje për veprën e bërë.
Ai është dërguar në gjykatë nga burgu i Shkupit, ku ka qenë duke e vuajtur masën e paraburgimit.
Denoncimi lidhur me incizimin dhe publikimin e videos në aplikacionin TikTok, është bërë nga drejtori i Spitalit të Tetovës, Pëllumb Vela, i cili aktin e mjekut e kishte cilësuar të “papranueshëm”.
Ngjarja ka ndodhur më 14 prill, derisa mjeku ka qenë në vendin e punën në Spitalin e Tetovës.
Drejtuesit e spitalit, në procedurë urgjente, kanë vendosur për largimin e mjekut nga puna, ndërsa Oda e Mjekëve e Maqedonisë së Veriut ia ka marrë edhe licencën për punë.
Oda e Mjekëve pati thënë se nuk do të lejojë që incidente të tilla të izoluara, të jenë barrë e të gjithë mjekëve, të cilët profesionalisht dhe me përgjegjësi veprojnë dhe trajtojnë pacientët në baza ditore.
Ky rast ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, pasi janë kërkuar masa urgjente nga institucionet përkatëse për parandalimin e publikimeve të tilla që cenojnë privatësinë e njerëzve.
(Isuf Kadriu, REL)