Podgoricë, 30 shtator 2022 – Deputetët e parlamentit të Malit të Zi, refuzuan të premten të diskutojnë mbi propozimin e presidentit Milo Gjukanoviç për shkurtimin e mandatit të parlamentit, që ishte edhe pika e vetme e rendit të ditës.
Për votuan 39, kurse kundër ishin 41 deputetë të parlamentit 81 vendesh.
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, i cili ishte i pranishëm në parlament, përsëriti qëndrimin se “shkurtimi i mandatit të parlamentit është zgjidhja më optimale në situatën e krijuar politike dhe se është në interesin më të mirë të të gjithë qytetarëve të Malit të Zi, pasi hap mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në një periudhë më të shkurtër kohore”.
Presidenti Gjukanoviç theksoi se “konteksti global rajonal dhe sfidat politike dhe të sigurisë, problemet ekonomike dhe financiare të Malit të Zi, veçanërisht në sektorin e energjisë, shëndetësisë dhe fushave të tjera, kërkojnë një qeveri kompetente, të përgjegjshme dhe efikase”. Një qeveri e tilla, nënvizoi ai, mund të formohet vetëm me vendim të qytetarëve në zgjedhje.
Presidenti malazez refuzoi më 20 shtator propozimin që Miodrag Lekiç të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.
Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe URA e kryeministrit ne largim Dritan Abazoviq, u pajtuan që Miodrag Lekiç të jetë mandatar, por nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve të tyre në parlamentin 81 vendesh. Këto parti fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare të gushtit të vitit 2020.
Mali i Zi është me qeveri teknike që nga muaji gusht kur parlamenti miratoi një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së kryeministrit Dritan Abazoviq, pak pasi ai nënshkroi një marrëveshje të diskutueshme me Kishën Ortodokse Serbe.
Marrëveshja nxiti përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive qeverisëse, theksuan se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze.
(Ali Salaj, Zëri i Amerikës)