Deputetët e PDK-së dhe Aleancës paralajmërojnë: Nesër nga ora 11:00 do të jemi në Kuvend

Prishtinë, 13 gusht 2026 – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, dhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, njoftuan se deputetët e këtyre dy partive do të shkojnë nesër në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive për Kuvendin e Kosovës.

Tahiri ka thënë se Aleanca i është përgjigjur ftesës së PDK-së që të shkojnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit në orën 11:00, kur bëhen 48 orë nga seanca e fundit, në kohën kur, sipas Rregullores së Kuvendit, parashihet vazhdimi i seancës konstituive.

“Jemi këtu t’i bëjmë ftesë publike kryesuesit Dehari por edhe LVV-së e cila po e pengon konstituimin e Kuvendit të Kosovës si rezultat i abuzimit të tyre përmes kryesuesit për të mos e ftuar seancën e cila është obligim ligjor dhe kushtetues për t’u ftuar çdo 48 orë. PDK-ja do të jetë nesër prezente. Edhe Aleanca i është përgjigjur ftesës për të qenë nesër prezente në sallën e Kuvendit të Kosovës nga ora 11:00. Presim që të përgjigjen edhe subjektet e tjera”, ka thënë Tahiri.

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, bërë të ditur se të dy grupet parlamentare kanë kërkuar takim me kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për të koordinuar veprimet për vazhdimin e seancës, por nuk kanë marrë përgjigje.

“Sot kemi dërguar një kërkesë zyrtare në koordinim me partitë politike që kanë qenë në opozitë, kemi kërkuar takim me kryesuesin Dehari në mënyrë që nesër në ora 11:00 kur të kalon 48-orëshi të ndodhë seanca. Nuk kemi pasur përgjigje dhe asnjë konsiderim të ndodhë Kuvendi. Kur ne e shohim që ka nis shpërbërja e institucioneve duke filluar nga Kuvendi, atëherë nuk na mbetet tjetër veçse t’i provojmë rrugët institucionale e pastaj t’i bëjmë veprimet tona politike në funksion të kthimit të rendit kushtetues”, ka thënë Tahiri.

Të dy kanë thënë se shpresojnë që ftesës për vazhdimin e seancës do t’i përgjigjen pozitivisht edhe grupet tjera parlamentare. Arian Tahiri ka thënë se nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka marrë përgjigje.

(r.m.)