Deputetja Kearns: Qeveria britanike e di se si kontrabandohen në Kosovë amët nga Serbia

Londër, 4 korrik 2023 – Kryetarja e Komitetit për Çështjet e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka thënë se grupet kriminale serbe në pjesën veriore të Kosovës armatosen nga Serbia.

Gjatë debatit të zhvilluar në parlamentin britanik, ajo ka thënë se pjesëtarët e KFOR-it dhe të policisë së Kosovësu janë sulmuar në Zveçan nga persona që janë financuar dhe e armatosur nga Serbia.

“Pamë një sulm brutal ndaj KFOR-it dhe policisë nga një milici e mbështetur, e financuar dhe e armatosur nga Beogradi. Ka pasur kokteje molotovi, ka pasur të shtëna me armë kundër tyre, ka pasur djegie të makinave të policisë. Pra, pse pati një përgjigje kaq joproporcionale dhe të pabalancuar nga aleatët tanë?”, ka pyetur ajo.

Zonja Kearns ka thënë se në kontrabandimin e armëve janë përfshirë edhe institucionet shëndetësore, madje edhe kishat ortodokse serbe. Sipas saj, për këtë është e informuar edhe qeveria britanike.

“Qeveria (britanike) është e informuar nga Fusilierët (regjimenti ushtarak britanik) që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen me ambulanca përtej kufirit nga Serbia dhe vendosen në kishat ortodokse. Kur trupat tona vihen në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, procedurat e lejes zgjasin shumë. Derisa të merren leje, një autoambulancë tashmë ka arritur në kishë dhe i ka shkarkuar të gjitha armët”, ka thënë ajo.

Deputetja Kearns ka kërkuar zgjerimin e mandatit të KFOR-it.

“I bëj thirrje Qeverisë që ta bëjë të qartë se Mbretëria e Bashkuar e mbështet sovraniteti, integritetin territorial e Kosovës demokratike. Për ta bërë këtë ne duhet të zgjerojmë mandatin e KFOR-it për të siguruar një qasje më proaktive, për ta luftuar kontrabandën e armëve dhe milicitë në veri të Kosovës”, ka thënë ajo.

Alicia Kearns ka kritikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian për qasjen e tyre ndaj Kosovës. Ajo ka thënë se SHBA dhe BE, me vendosjen e saksioneve ndaj Kosovës, po përcjellin mesazhe të gabuara për Kosovën dhe për Serbinë.

“Qeveria amerikane tha se nuk ju lejohet më të merrni pjesë në një stërvitje të planifikuar ushtarake, Ne nuk do t’ju ndihmojmë më që të njiheni nga vendet e tjera. Nuk jeni të mirëpritur në ShBA. Ndërkaq, Serbia mori pjesë në një stërvitje ushtarake të përbashkët me SHBA-në vetëm një javë më vonë, ndërkohë që policët kosovarë po mbaheshin ende ilegalisht. Çfarë mesazhi i dërgon kjo Kosovës, aleates demokratike që na ka mbështetur mbështetur në Ukrainë dhe ka bërë gjithçka që i kemi kërkuar. SHBA dhe BE kanë dështuar plotësisht duke vendosur sanksione ndaj Kosovës dhe jo ndaj Serbisë”, ka thënë deputetja britanike.

“Mbretëria e Bashkuar ka një zë të pavarur brenda QUINT-it dhe faktorëve ndërkombëtarë për t’i thënë ‘jo’ BE-së dhe SHBA-së. Ne duhet t’u themi atyre; ‘ju do të na lejoni të marrim pjesë në bisedimet e paqes në Kosovë dhe nuk do të vazhdoni të vazhdoni me qasjen që e keni aktualisht, sepse gjithçka që po bëni është ta goditni me shkop aleaten tonë demokratike”, ka theksuar ajo.

(r.m)