Deputetja Selimi tregon pse nuk votoi për zgjedhjen e Gërvallës kryeparlamentare

Prishtinë, 20 gusht 2025 – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti – Selimi, bëri të ditur se ajo nuk mori pjesë në votimin e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit të Kosovë të mërkurën.

Në një postim në Facebook, ajo shkroi se arsye për të mos votuar kanë qenë postimet e Gërvallës në Facebook, kundër bashkëshortit të saj, Rexhep Selimi, i cili gjendet në paraburgim në Hagë, I akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin.

“Mospjesëmarrja ime nuk lidhet me motive partiake. Kjo ka të bëjë me një postim të datës 7 shkurt dhe 25 mars 2020, të cilin po e bashkëngjis në këtë shkrim. Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka shkruar ajo.

Më 7 shkurt 2020 Gërvalla në një postim në Facebook kishte shkruar: “Nëse mund t’iu besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenkan propozuar si kryetar i grupit parlamentar të VV-së. Ky do të ishte një sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës.”

Ndërkaq më 25 mars të po të njëjtit vit sërish kishte shkruar: “Sa përbuzshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e saj të diskredituara të botës së krimit.”

May be an image of 2 people and text that says

(r.m.)