Dërgohen në paraburgim të dyshuarit për spiunazh në Kosovë, piloti kroat dhe e dashura e tij serbe

Zagreb / Prishtinë, 28 gusht 2025 – Kroacia ua ka shqiptuar masën e paraburgimit dy të arrestuarve që dyshohen për spiunazh për Serbinë: pilotit të helikopterit të ushtrisë kroate J.A. që ka shërbyer në kontigjentin kroat të KFOR-it dhe të dashurës së tij, serbes A.M. (Ana Murganiq) nga Mitrovica e Veriut.

Prokuroria e Qarkut në Split njoftoi më 28 gusht se pas pranimit të kallëzimit penal nga Sektori i Pavarur për çështje të policisë ushtarake një ditë me herët, ka ndërmarrë veprimet e para hetimore dhe ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve kundër shtetasit të Kroacisë J. A., (i lindur më 1971) për veprën penale të spiunazhit, dhe kundër shtetases së Serbisë A.M. (e lindur më 1979) për të njëjtën vepër penale.

Media kroate Index.hr raportoi se piloti kroat J.A. dhe e dashura e tij, A.M. serbe nga Mitrovica e Veriut dyshohen se kanë spiunuar për Serbinë. Piloti J.A. ishte pjesë e kontigjentit kroat të KFOR-it në në Kosovë, ndërsa serbja A.M. kishte punuar në misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.

Sipas Index.hr, që thirret në burime të afërta me organet e sigurisë, dyshohet se piloti kroat i ka dhënë informacione konfidenciale partneres së tij, të cilat ajo më pas ua ka përcjellë anëtarëve të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Sipas burimeve të Index.hr, Ana Murganiq dyshohet se së bashku me të dashurin e saj, pilotin ushtarak kroat J.A, i ka dërguar mesazhe Vladimir Radivojeviqit, të njohur me nofkën “Mami”, i cili njihet si lider i “Brigadës së Veriut”, që është shpallur organizatë terroriste në Kosovë.

Në telefonat e pilotit kroat J.A. dhe të dashurës së tij Ana Murganiq, ndër të tjera, janë gjetur mesazhe që korrespondojnë me sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zubin Potok, të kryer më 25 shtator të vitit 2022.

“Duhet ta ‘hekurosni’ sulmin ndaj KFOR-it me çdo kusht”, i kishte shkruar Aana Murganiq Mamit”, të cilin e kishte shok të fëmijërisë.

Besohet se mesazhi “hekurosni” kishte kuptimin e mbulimit të sulmit.

Po atë ditë, piloti kroat i kishte shkruar mesazh Ana Murganiqit.

“Vërtetë e prishët punën mbrëmë”, i kishte shkruar ai.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Radivojeviqit për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të kryer më 24 shtatorit të vitit 2023.

Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar gjyqtarit të hetimeve të Gjykatës së Qarkut në Split caktimin e paraburgimit për të pandehurin e parë, për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët dhe të përsëritjes së veprës penale, ndërsa për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit mbi dëshmitarët dhe përsëritjes së veprës penale.

“Gjyqtari i hetimeve e ka pranuar pjesërisht kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar paraburgim për të pandehurin e parë për shkak të rrezikut të ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe për të pandehurën e dytë për shkak të rrezikut të arratisjes dhe ndikimit mbi dëshmitarët”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Qarkut në Split.

“Megjithatë, për të dy të pandehurit është refuzuar propozimi për paraburgim lidhur me rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Prokuroria e Qarkut në Split ka njoftuar se do të parashtrojë ankesë kundër pjesës së vendimit me të cilën është refuzuar kërkesa e saj”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se i ka marrë me seriozitet pretendimet se piloti kroat ka zbuluar tek e dashura e tij informacione për lëvizjet e serbëve në veri, si dhe të pjesëtarëve të këtij misioni.

“Ne i marrim shumë seriozisht këto pretendime. Siguria e personelit të KFOR-it dhe integriteti i informacionit të klasifikuar janë parësore”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet e Kroacisë lidhur me këtë rast.

“Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu.

(r.m.)