Tiranë, 23 korrik 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të martën më 22 korrik përfundimin e hetimeve ndaj 27 zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës, UBT, mes tyre dhe akademike e dy zv.rektorët, që akuzohen për shkelje në procedurat e tenderave, si dhe ndaj dy përfaqësuesve të shoqërisë “Krijon” sh.p.k.. Zyrtarët e Universitetit Bujqësor të Tiranës akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa dy përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k, “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një here. Çështja në ngarkim të 29 të pandehurve është dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, me kërkesën për t’u kaluar për gjykim.
Sipas SPAK, në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit prej 90 milionë lekësh. Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendësrektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.
Administratori dhe akademikët e UBT-së, akuzohen se kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues që janë dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme nga ana e zyrtarëve të UBT-së, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit.
SPAK konstaton se komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.
Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu dhe Tone Vukaj, të cilët në bashkëpunim me titullarin e UBT-së, Edmond Tërthorja, kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k.; “Zero Group” sh.p.k. dhe “Malvina Visoka PF”.
Në njoftim sqarohet se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike, termat e referencës, si dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit, janë bërë nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë fitues të sipërcituar.
Në të gjitha procedurat e prokurimit operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera. Këto oferta ekonomike false janë përdorur nga UBT për fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.
Po ashtu, janë konstatuar raste të kryerjes së procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues për pajisje me mallra të tjera, të cilat janë vendosur në dispozicion të UBT-së disa muaj para shpalljes së tenderave. Fillimisht janë aministruar pajisjet dhe mvonë janë kryer tenderat fiktivë.
SPAK njofton se është duke vijuar hetimin për të zbuluar dhe vendosur para përgjegjësisë penale çdo person tjetër të përfshirë në këto afera.