Dëshmia e Plavës: Naim Murseli ka qenë në veturë në momentin e vrasjes së Liridonës

Prishtinë, 27 janar 2024 – I dyshuari për vrasjen e Liridona Ademajt, Granit Plava, ka thënë se Naim Murseli e ka porositur atë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës.

Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023, Plava ka deklaruar se Murseli ia ka ofruar 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.

Biseda mes tyre ishte bërë rreth një javë para se të kryhej vrasja, në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta kishte qrnë edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.

Paparaci e ka siguruar dëshminë e plotë të Plavës dhënë hetuesve policorë.

“Gjatë bisedës, në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marr 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava.

“Po ashtu, Naimi na ka thënë: ‘Unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.

Plava ka thënë se Murseli i ka telefonuar ditën e vrasjes së Liridonës dhe i ka kërkuar “të kryhet kjo punë”.

“Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë: ‘Ti e di se kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë ‘e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka thënë Plava.

Ai ka thënë se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.

“Unë nuk i kam vërejtë fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.

(Telegrafi)