Prishtinë, 2 dhjetor 2025 – Ditëve të fundit ka pasur disa përpjekje për bashkim të subjekteve politike serbe që në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të konkurrojnën me Listën Serbe, e cila ka mbështetjen e Beogradit, si edhe me Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit, ish-ministrit në Qeverinë e Kurtit. Por, këto përpjekje kanë dështuar dhe në zgjedhje do të marrin pjesë vetën tri parti serbe: Lista Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Lidhja Kosovare, parti e formuar në qershor të këtij viti, me mbështetjen e deputetit të Kuvendit të Serbisë, Zharko Ristiq.
Shumica e partive opozitare dhe iniciativave qytetare serbe në Kosovë ua hodhën të tjerëve përgjegjësinë për dështimin e përpjekjeve për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhje.
Lidhja Kosovare e Goran Marinkoviqit tha se gjatë takimit në Mitrovicë të Veriut u diskutua për krijimin e një koalicioni më të gjerë të partive opozitare serbe, por rezultoi se vetëm kjo parti kishte qëllime të sinqerta.
“Përfaqësuesit e partive të tjera duket se ishin më shumë të fokusuar te pozicionimi i tyre personal në listën zgjedhore sesa tek interesi i përbashkët”, thuhet në njoftimin e këtij subjekti.
Partia Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit deklaroi se kanë bërë shumë lëshime gjatë bisedimeve për paraqitjen e përbashkët, por se nuk kanë mundur t’i tejkalojnë vijat e tyre të kuqe.
“Na është kërkuar që kryetari ynë, i cili është i dëbuar, të përjashtohet plotësisht nga lista zgjedhore dhe nga jeta politike”, tha kjo parti.
Arsenijeviq nuk ndodhet në Kosovë, pasi është shpallur në kërkim që nga qershori i këtij viti, kur Policia e Kosovës ka gjetur armë në pronën e tij. Ai ka mohuar se armët kanë qenë të tijat dhe ka deklaruar se autoritetet kosovare kanë “montuar” gjithçka për ta larguar nga Kosova.
Lëvizja Popullore Serbe e Millija Bishevacit tha se ka mbështetur bashkimin, por se nuk është arritur kompromis.
“Lëvizja Popullore Serbe do të punojë në forcimin e strukturës së vet, në bashkimin e të gjithë faktorëve realisht opozitarë në Kosovë dhe në krijimin e një fronti të vetëm që do të veprojë në interes të popullit tonë”, thanë nga kjo parti.
Mungesa e bashkëpunimit mes partive opozitare serbe dhe iniciativave qytetare e favoziron partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.
Zoran Saviq, nga organizata joqeveritare Aktiv në Mitrovicë të Veriut, deklaroi për Radion Evropa e Lirë se mungesa e një koalicioni të përbashkët të partive opozitare dhe nismave qytetare serbe I bën ato pothuajse jokonkurrente me Listën Serbe.
Në zgjedhjet e kaluara parlamentare të zhvilluara më 9 shkurt, Lista Serbe i fitoi nëntë nga dhjetë vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një vend e siguroi Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 28 dhjetor, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila fitoi në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk arriti të formojë Qeverinë e re të Kosovës.
(r.m.)