Dështojnë edhe dy votime për kryetar të Kuvendit të Kosovës. As Albulena Haxhiu dhe as Donika Gërvalla nuk i morën votat e nevojshme

Prishtinë, 20 gusht 2025 – Kuvendi i Kosovës vazhdoi sot seancën konstituive, por nuk arriti të zgjedhë kryetarin.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, i propozoi dy kandidate për kryetare, Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën, por asnjëra pre tyre nuk i mori votat e së paku 61 deputetëve. Për të dyja kandidatet, në votime të veçanta, “për” votuan 57 deputetë, “kundër” votuan 56 deputetë, kurse 3 deputetë abstenuan.

Pas votimit për të dyja kandidatet, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e saj e caktoi për të premten, më 22 gusht.

Pas ndërprerjes së seancës, siç ka ndodhur në të gjitha rastet e deritashme, Lëvizja Vetëvendosje i ka akuzuar partitë opozitare – Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – për bllokim të qëllimshëm të procesit të konstituimit të Kuvendit, pavarësisht prej kandidatëve të propozuar.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se këto parti janë bërë bashkë për të penguar formimin e institucioneve. Ai tha se këtë e dëshmoi edhe mosvotimi i kandidates së dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvallës.

“Ata janë të interesuar të bllokojnë, pavarësisht emrit”, tha Murati.

Ai ishte kritik ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese duke shtuar se njëra nga kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendisje, Albulena Haxhiu apo Donika Gërvalla, do të ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit, në qoftë se Kushtetuesja nuk do të pamundësonte votimin e fshehtë,.

Murati tha se strukturat e partisë do të vendosin në ditët në vijim se si do të veprohet tutje.

Faton Peci, bashkëkryetar i partisë Guxo, e cila është pjesë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se ka pasur pritje që LDK-ja dhe AAK-ja do ta mbështesin kandidaturën e Donika Gërvallës për kryeparlamentare.

“Kam menduar që mund të reflektojë LDK-ja, për shkak se Donika, në gjenezë dhe në veprimtari, është më shumë LDK se këta që sot janë në LDK”, tha ai për gazetarë.

“E dyta, nuk e kam hequr nga lista e pritjeve as AAK-në, përkundër ballafaqimeve të ashpra që Donika ka pasur me zotin Haradinaj”, shtoi Peci.

“Inati e mposhti arsyen në politikë”, theksoi ai.

Sipas tij, mosvotimi i Gërvallës dëshmon se tri partitë opozitare kanë qëllim të pengojnë formimin e Qeverisë “Kurti 3”.

“Prej sot është e qartë që pretendimi i partive opozitare që problemi i moskonstituimit të Kuvendit është emri i Albulena Haxhiut nuk qëndron. Problemi i opozitës është se ato kanë hyrë në aranzhmane me grupe të tjera për të parandaluar Qeverinë Kurti 3”, theksoi Peci.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, ende nuk kanë vendosur se kë do ta propozojnë për kryetar të Kuvendit në vazhdimin e radhës.

Por, partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë (PDK, LDK dhe AAK) e akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje për ngërçin politik që ka çuar në bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Kryertari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij vazhdon të mbajë qëndrimin se nuk do të votojë për kryeparlamentar asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje që ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.

“Nëse duan zgjidhje, sot mund ta përfundonin këtë punë”, tha ai, duke shtuar se PDK nuk ka votë për Albulena Haxhiun dhe për këdo që ka qenë ministër.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk është fare e interesuar për konstituimin e Kuvendit. Sipas saj, propozimi i Donika Gërvallës kishte qëllim vetëm prolongimin e procesit.

“Lëvizja Vetëvendosje sot i propozoi dy kandidate për të cilat dihej paraprakisht se nuk i kanë votat”, tha Bajrami.

Edhe Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, e akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se me qëllim i propozoi dy kandidate që nuk e kanë mbështetjen e partive që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë edhe në ditët në vijim kandidatë që nuk kanë përkrahje,

“Do të shihni, edhe në seancat në vijim do të propozohen figura të tilla që nuk kanë përkrahje”, tha ajo.

Sipas saj, partitë që ishin në opozitë “kanë ofruar alternativa për daljen nga ngërçi politik, por Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pranuar ato”.

“Po shihet që Lëvizja Vetëvendfosje nuk është e interesuar për zhbllokim të situatës” tha ajo.

Seanca konstituive e Kuvendit vazhdoi pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i urdhëroi deputetët që procesi i konstituimit të përmbyllet brenda 30-ditësh. Afati për përmbylljen e këtij ptrocesi, i cili përfshin zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, ka nisur më 18 gusht dhe do të përfundojë më 17 shtator.

Por, Gjykata Kushtetuese nuk ka treguar se çfarë ndodh në rast se konstituimi i Kuvendit të  Kosovës nuk bëhet as brenda këtij afati. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia kishte drejtuar pikërisht këtë pyetje Gjykatës Kushtetuese, më 7 nkorrik, por e kishte tërhequr pyetjen për shkak se për gjyqtar referuar për këtë çështje ishte caktuar gjyqtari Radomir Llaban. Presidentja Osmani ka thënë se organet e sigurisë dyshojnë se Llaban është bashkëpunëtor i Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë, gjë që përbën rrezik për sigurinë e Kosovës.

(r.m.)