Dështojnë edhe tri votime për kryetar të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 24 gusht 2025 – Dështoi edhe një herë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Të dielën, në vazhdimin e 57-të të seancës konstituive, ata votuan për tre kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje, por asnjëri prej tyre nuk i fitoi votat e nevojshme – së paku 61 sosh.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka të drejtën e propozimit të kandidatëve për kryetar, të dielën e propozoi sërish ministrin në detyrë të Financave, Hakuran Muratin, por ai i mori vetëm 55 vota për, 46 kundër dhe 5 abstenime, nga 106 deputetë që ishin të pranishëm në seancë.

Pas dështimit të zgjedhjes së Hekuran Muratit, Lëvizja Vetëvendosje e propozoi ministren në Detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci, por as kjo nuk i mori votat e nevojshme. Për të votuan 55 deputetë, kundësa saj votuan 47 deputetë, kurse 4 deputetë abstenuan.

Në përpjekje për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje e propozoi për këtë pozitë edhe deputetin Dimal Basha, por as ky nuk i mori 61 vota. Në votimin për Bashën 57 deputetë votuan “pro”, 25 deputetë votuan “kundër”, kurse 24 deputetë abstenuan.

Pas konstatimit se as Dimal Basha nuk i mori votat e mjaftueshme që të zgjidhet kryetar i Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e radhës e caktoi për të martën, më 26 gusht.

Pas seancës, Hekuran Murati, i akuzoi partitë që në mandatin e kaluar ishin në opozitë se po përpiqen ta bllokojnë formimin e institucioneve të Kosovës.

“Qëllimi i këtyre partive që rezultatin që nuk ua dha me votë qyteti, me këto makinacione të tentojnë të vjedhin rezultatin në tavolinë, përmes zvarritjeve të tilla”, tha ai.

Murati e cilësoi si “makinacion” deklaratën e Partisë Demokratike të Kosovës se nuk do ta votojë për kryeparlamentar asnjërin prej ministrave në Qeverinë e Albin Kurtit. Ai tha se votimi për Dimal Bashën, i cili nuk ka qenë ministër, dëshmon se problemi nuk janë emrat.

Murati i hodhi poshtë edhe deklaratat e partive opozitare se para votimit nevojiten konsultime lidhur me kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Edhe kjo fraza ‘na duhen konsulta’ është vetëm një tentitivë për shtyrjen dhe vonesën e radhës sepse po shihet qartë qëllimi i tyre. Bëhet fjalë për makinacione e jo për parime. Sa herë që Lëvizja Vetëvendosje e ofron kompromis, partitë opozitare sjellin një kusht të ri”, theksoi Murati.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se pas paraqitjes së propozimit të Dimal Bashës, nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, PDK kërkoi pauzë 10-minutëshe për konsultime me partitë e tjera për kandidaturën e Bashës, por kjo nuk iu dha. Krasniqi shfaqi shpresën se të martën kryesuesi do të lejojë konsultime të partive opozitare për ndonjë propozim të Lëvizjes Vetëvendosje që mund t’I marrë votat e deputetëve të partisë së tij.

“Shpresoj që pasnesër Dehari të mos ketë arrogancë. Nëse ka një propozim që mund të marrë votat e PDK-së të japë një pauzë 10 minutëshe”, tha ai.

Sipas tij, Basha “mund të zgjidhej sot edhe kryeparlamentar. nëse do të kishte një konsultë para votimit”.

Krasniqi kujtoi se PDK-ja nuk voton ministrat e Qeverisë së Kurtit dhe shtoi se deputeti Dimal Basha mund t’i marrë votat e deputetëve të kësaj partie.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha se kjo parti nuk e voton asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike.

“LDK-ja është konsistente. Nuk e votojmë askënd pa një marrëveshje paraprake”, tha ai.

“Në mungesë të një marrëveshje politike, cilado parti që do të propozonte dikë për kryekuvendar, LDK-ja nuk ka pse ta votojë”, theksoi Mustafa.

Por, ndryshe nga deputetët tjerë të kësaj partie, Arben Gashi votoi për zgjedhjen e Dimal Bashës. Pas seancës, Gashi tha se Basha ia kishte kërkuar votën më parë dhe se ai nuk ka të kaluar që e pengon ta bëjë punën e kryekuvendarit.

“Ma ka kërkuar votën dhe i kam premtuar se do ta votoj. Para disa muajve nuk e kam ditur se do të dalë në votim, por i kam thënë: ‘Kurdo që të qesin në votim, votën time e ke’. Mendoj se duhet të mendojmë pak përtej, Ai është një djalë simpatik dhe nuk është shumë polarizues. I ka disa deklarata të forta, përtej të arsyeshmes, por në përgjithësi nuk ka të kaluar që e pengon ta bëjë këtë punë”, u shpreh Gashi. 

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj të 18 gushtit, i ka dhënë 30 ditë afat Kuvendit që të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët e këtij organi. Ky afat skadon më 18 shtator.

(r.m.)