Dështon edhe një herë konstituim i Kuvendit. Ç’do të ndodhë nëse kjo nuk bëhet para 26 korrikut?

Prishtinë, 7 korrik 2025 – Të hënën, më 7 korrik, dështoi edhe përpjekja e 43-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sikurse edhe në përpjekjet e kaluara, deputetët e partive opozitare (PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listën Serbe) refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të mbikëqyrte  votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit, si edhe votimin për formimin e këtij komisioni.

Ato e cilësojnë si jokushtetues votimin e fshehtë pas dështimit të shtatë votimeve të hapura për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiun, por LVV, e cila është partia më e madhe në parlament, këmbëngul se votimi i fshehtë është kushtetues.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në aktgjykimin e publikuar më 26 qershor, tha se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet me konsensus dhe kompromis të partive politike, por nuk tregoi shprehimisht nëse votimi i fshehtë është kushtetues ose jokushtetues.

Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari – Lila tha se Gjykata Kushtetuese e ka treguar procedurën e konsitutimit të Kuvendit dhe nuk është e ka përjashtuar asnjërën formë të votimit. Ajo ka thënë se në këtë situatë Kushtetuesja duhet të jape shpjegime shtesë ose të bëhet shpërndarja e Kuvendit.

“Tani Gjykata mund ta sqarojë aktgjykimin e vet, të vijë me instruksione, gjegjësisht me shpjegime shtesë ose partitë mund të dakordohen që ta konstituojnë Kuvendin vetëm sa për ta shpërndarë dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Zgjidhje tjetër nuk shoh”, tha Kusari Lila të hënën.

Ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja iu drejtuan përsëri Gjykatës Kushtetuese me kërkesë që të vlerësojë nëse kryesuesi i seancës vazhdon ta udhëheqë seancën në kundërshtim me Kushtetutën dhe nëse është kushtetues ose jo ndryshimi I formës së votimit – nga votimi iI hapur në votim tëe fshehtë.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet brenda 30 ditësh (deri më 26 korrik) por nuk shpjegoi se çfarë ndodh në rast se kjo nuk ndodh brenda këtij afati.

Sipas deputetjes Kusari Lila një nga pasojat e moskonstituimit të Kuvendit para 26 korrikut mund të shpie edhe në humbjen e mandatit të deputetëve të zgjedhur dhe zëvendësimi i tyre me kandidatët e renditur pas tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Nuk ka ndodhur ende që në një legjislaturë të merret mandati i të gjithë deputetëve të Kuvendit, por janë 120 deputetë të legjislaturës së 9-të, të cilëve mund t’u merret mandati, dhe mandatet në vend të tyre t’u jepen kandidatëve në radhë të listave të partive politike”, tha ajo.

Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar për opsionet e zhbllokimit të procesit, por nuk arriti ta bëjë këtë. Dy ditë më pas, ajo tha se moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese mund të ketë pasoja juridike për subjektet politike, por nuk ishte në gjendje të thoshte se cilat mund të jetë këto pasoja. Për këtë arsyem ajo e la të hapur mundësinë që nga Gjykata Kushtetuese të kërkojë sqarime shtesë.

(r.m.)

Comment

*