Prishtinë, 27 maj 2025 – Të martën ka dështuar edhe një përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Edhe këtë herë, të katërmbëdhjetën me radhë, propozimi i partisë më të madhe në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendfosje, për krijimin e komisionit për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryertar të Kuvendit nuk mori votat e mjaftueshme. Përpjekja e radhës do të vazhdojë të enjten, më 29 maj.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe sërish refuzuan ta propozonin nga një përfaqësues të tyre në komisionin mbikëqyrës dhe as nuk morën pjesë në votimin për formimin e këtij komisioni. Këto parti opozitare, të cilat në tetë përpjekjet e para, votuan kundër kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxiut, tani po e kundërshtojnë votimin e fshehtë.
PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja e konsiderojnë jokushtetuese votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit, duke qenë se procesi i zgjedhjes së tij ka filluar me votim të hapur. Ato kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të marrë masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa ta marrë vendimin përfundimtar lidhur me këtë çështje.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, në këtë rast e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila nuk heqë dorë nga kandidatura e Haxhiut, e cila është deputetja që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje, duke iu referuar një aktgjykimi të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, thotë se deputetët janë të obliguar të votojnë në seaancat e Kuvendit, prandaj mospjesëmarrja në votim përbën shkelje të Kushtetutës.
Disa organizata të shoqërisë civile në Kosovë shprehën pakënaqësinë për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ato kishin vendosur në hyrje të ndërtesës së Kuvendit karriga në të cilat kishin vënë parulla të ndryshme me qëllim të nxitjes së deputetëve që ta zgjidhin ngërçin e krijuar nga partitë politike.
“Secila karrigë e përmban një mesazh, i cili është i drejtpërdrejtë ndaj secilit prej deputetëve – një thirrje serioze për të pasur përgjegjësi”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Ai ka thënë se kjo është një formë e shprehjes publike të pakënaqësisë së shoqrisë civile me deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk po e kryejnë punën e tyre që buron nga mandati i tyre si përfaqësues të qytetarëve të Kosovës.
Por, siç është e njohur botërisht, përgjegjësia për bllokimin e procesit dhe ngërçit politik bie mbi partitë politike, më saktë mbi liderët dhe strukturat drejtuese të tyre. Liderët e partiver, siç është parë qartë nga deklaratat e tyre publike, i kanë vënë interesat e tyre personale ose interesat e partive të tyre përpara interesit të përgjithshëm publik.
(r.m.)