Dështon edhe një përpjekje për zgjedhjen e presidentit, nesër pritet një përpjekje tjetër

Prishtinë, 27 prill 2026 – Kuvendi i Kosovës u mblodh përsëri të hënën në mbërmje në një seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit.

Në seancën e mbrëmjes u hodhën në votim dy kandidate të reja. Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha u propozuan kandidate për presidente nga Lëvizja Vetëvendosje pasi u tërhoqën nga gara dy kanditatët e derisotëm: Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.

Për votim të vlefshëm në sallë duhet të ishin të pranishëm së paku 80 deputetë, ndërsa në këtë seancë ishin të pranishëm vetëm 64 deputetë, pasi në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës.

Megjithatë, në kuvend u zhvillua ruandi i parë i votimit, në të cilin morën pjesë 64 deputetë.

63 prej tyre votuan për Feride Rushitin. Një votë u shpall e pavlefshme.

Keryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit do të vazhdojë nesër (e martë), në orën 10:00.

Votimi pa pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve shkaktoi reagime të ashpra të opozitës dhe juristëve. Liderët opozitarë e cilësuan si akt kundërkushtetues votimin pa kuorum për zgjedhjen e presidentit. Ata paralajmëruan se do ta bojkotojnë seancën për zgjedhjen e presidentit derisa nuk propozohet një kandidat konsensual për këtë pozitë.

Megjithatë, asnjë parti opozitare nuk ka propozuar deri më tash një kandidat që do të kishte mbështetjen e së paku 80 detputetëve të pozitës dhe të opozitës.

I vetmi emër i përmendur në orët e fundit është ai i ish-presidentes Vjosa Osmani. Lidhja Demokratike e Kosovës tha se është e gatshme ta propozojë zonjën Osmani për një mandat të dytë, në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje jep garanci se për kandidaturën e saj do të votojnë të gjithë deputetët e koalicionit qeverisës, gjithsej 66.

Por, sipas reagimeve të deritashme të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Vjosa Osmani nuk do ta ketë mbështetjen e deputetëve të koalicionit qeveritar.

Kështu siç qëndron çështja, zgjedhjet e reja të parakohshme duken të pashmangshme, ndonëse të gjitha subjektet politike thonë se nuk i dëshirojnë, sepse janë të vetëdijshëm se ato nuk do të sjellin ndryshime që do të çonin në zhbllokimin e procesit për formimin e institucioneve.

Madje edhe mund ta bllokojnë përsëri procesin e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit dhe mund ta bëjnë të paqartë edhe çështjen e formimit të koalicionit për qeverisje.

(r.m.)