Dështon edhe një votim për konstituimin e Kuvendit, të shtunën do të mbahet tubimi i radhës

Prishtinë, 25 korrik 2025 – Të premten dështoi edhe një përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Propozimi për zgjedhjen e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit nuk i mori votat e nevojshme as këtë herë. Deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe nuk propozuan përfaqësues të tyre në këtë komision dhe as nuk votuan për formimin e komisionit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ftoi një tubim tjetër për të shtunën, një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e seancës konstituive të Kuvendit pas skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar me aktgjykimin e saj të 26 qershorit.

Masa e përkohshme e pezullimit do të hyjë në fuqi të dielën, më 27 korrik, dhe do të jetë në fuqi deri më 8 gusht, kur pritet një vendimarrje lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese tha se çdo vendim dhe veprim i deputetëve të Kuvendit të Kosovës para vendimmarrjesë së saj lidhur me këtë çështje “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe për funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.

“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i Kushtetueses u mor pas kërkesës së PDK-së dhe LDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së përpjekjes së Lëvizjes Vetëvendosje për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo parti nuk ka kërkuar masë të përkohshme, por vendimin për vendosjen e kësaj mase e lë në diskrecion të Gjykatës.

“Besoj që ka një arsye të cilën nuk mund ta paragjykoj. Ndoshta është ndonjë arsye që do ta kuptojmë kur të publikohet aktgjykimi”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të konstatojë se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka shkelur Kushtetutën me propozimin për votim të fshehtë.

“Kryesuesi e ka shkelur Kushtetutën. Kjo është përmbysje e rendit kushtetues. Tani presim që të ketë edhe vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për lëndën tonë”, tha Abdixhiku.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese jep shpresë për zhvillime positive. Sipas tij, është e mundur që pas dy javësh kjo gjykatë të marrë vendim që do t’i jepte zgjidhje situatës. 

“Kjo masë e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë se do të ketë zhvillime të reja apo një vendim të ri të gjykatës këto dy javë… Është e mundur që gjykata ka paraparë që kaq kohë i nevojitet deri në një zhvillim të ri”, tha Haradinaj. 

Ndërkaq, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundësinë që të shtunën të shmangin pezullimin e seancës konstituive, duke votuar për formimin e komisionit për votim të fshehtë.

“Ne e kemi edhe nesër një mundësi. Është dita e fundit, sipas afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. Nuk mendoj se ka nevojë të pritet masa e përkohshme, sepse atëherë hyjmë në territor të pashkelur më parë sa u përket veprimeve dhe pasojave, pas tejkalimit të këtij afati. U bëj thirrje të gjithë deputetëve që ta shfrytëzojnë mundësinë, të votojnë për komisionin e votimit të fshehtë, të marrin pjesë, qoftë për, kundër apo abstenim. Le ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese”, tha Murati.

Sipas tij, veprimet e LVV-së janë “krejtësisht kushtetuese”.

(r.m.)