Dështon edhe një votim për kryetar të Kuvendit. As Hekuran Murati nuk i fiton votat e nevojshme

Prishtinë, 22 gusht 2025 – Ka dështuar edhe një votim për kryetar të Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e propozoi Hekuran Muratin kandidat të saj për këtë pozitë, por edhe ky, sikurse dy kandidatët e parë, Albulenas Haxhiu dhe Donika Gërvalla, nuk e mori numrin e nevojshëm të votave. Për Muratin votuan 57 deputetë, kundër votuan 58 deputetë, kurse abstenuan 6 deputetë. Për zgjedhjen e kryetarit nevojiten së paku 61 vota.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu seancën dhe vazhdimin e saj e caktoi për të dielën, më 24 gusht.

Edhe të premten, kundër kandidaturës së Muratit, sikurse edhe kundër kandidaturave të Haxhiut dhe Gërvallës, votuan deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe (LS).

Deputetja Donika Gërvalla nga partia Guxo, e cila është pjesë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, tha se votimi kundër kandidaturës së Hekuran Muratit tregon se “s’është problemi tek emrat”. Ajo tha se partitë politike që mandatin e kaluar ishin në opozitë se kanë vendosur të bllokojnë procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

“Bllokimi nuk lidhet me emra të përveçëm. Thjesht, lidhet me mosgatishmërinë e opozitës për të shkuar në një fazë të re, të konstituimit të kuvvendit, të formimit të qeverisë”, tha ajo.

Gërvalla shprehu rezignatën e saj që të mërkurën nuk e votuan deputetët e LDK-së, partisë pjesë e së cilës ajo ka qenë deri në zgjedhjet e vitit 2021. Ajo tregoi se ka pritur që për të të votojnë së paku të afërmit e disa prej figurave të njohura të LDK-së, duke i akuzuar se ata votuan të mërkurën sikur deputetët e Listës Serbe.

“Unë nuk jam anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje. LDK-ja, jo vetëm për këtë arsye, por edhe për shumë arsye të tjera, ka pasur mundësi ta zhbllokojë Kuvendin. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës (Besian Mustafa), nipi i Tahir Zemajt (Armend Zemaj), dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni… Këta katër u bënë bashkë me PDK-në edhe me Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës”, u shpreh ajo.

Gërvalla tha se deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, nuk ka votuar kundër saj, por ka abstenuar.

“Shqipe Selimi nuk ka votuar. Shqipe Selimi nuk është bërë bashkë me Listën Serbe për të votuar kundër meje…”, u shpreh Gërvalla.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se deputetët e kësaj partie nuk votuan për Hekuran Muratin, duje shtuar se kjo parti ka bërë të qartë se nuk do të votojë për asnjërin nga ministrat e qeverisë së kaluar, e cila është ende qeveri në detyrë.

Krasniqi tha se LVV-ja e propozoi Hekuran Muratin për kryetar të Kuvendit, pavarësisht se, sipas tij, e ka ditur që ai nuk do t’i merrte votat e nevojshme për këtë pozitë.

Krasniqi e cilësoi të pakuptimtë insistimin e LVV-së që për kryetar të Kuvendit të propozojë ministra të Qeverisë “Kurti”.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk po dëshiron të konstituojë Kuvendin, me qëllim që të zvarrisë formimin e institucioneve të reja”, tha ai.

Sipas tij, në këtë situatë zgjedhjet e parakohshme duken të pashmangshme, por më parë duhet të bëhet konstituimi i Kuvendit.

“Zgjedhjet do të jenë të pashmangshme, por mekanizmi për të shkuar në zgjedhje duhet të ekzistojë dhe të përmbushet. Mënyra për të shkuar në zgjedhje është që fillimisht të konstituohet Kuvendi”, tha Krasniqi.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjidhjen deri më 18 shtator.

(r.m.)