Prishtinë, 25 maj 2025 – Të dielën dështoi edhe përpjekja e 21-të e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës për konstituim.
Vetëm 53 deputetë votuan për krijimin e komisionin për mbikëqyrjen e procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Listës Serbe refuzuan sërish të propozonin përfaqësuesit e tyre në komisionin dhe të votonin për formimin e këtij komisioni.
Seanca konstituive do të vazhdojë të martën e 27 majit. Sipas Kushtetutës së Kosovës seanca konstituive nuk mund të ketë ndërprerje prej më shumë se 48 orësh.
Partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), dhe partitë e renditura pas saj, edhe të dielën u akuzuan reciprokisht për bllokimin e procesit të kontituimit të Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ishte e vetmja përfaqësuese e partive opozitare që të dielën e shprehu ose më mirë të thuhet e përsëriti qëndrimin e këtyre partive lidhur me ngërçin politik që ka çuar në bllokimin e këtij procesi.
Ajo e fajësoi edhe një herë LVV-në për përpjekjet e dështuara që kryetare e Kuvendit të zgjidhet deputetja Albulena Haxhiu, të cilën opozita e cilëson si figurë “jounifikuese” dhe “përçarëse”.
“Qytetarët e Kosovës nuk kanë votuar për bllokadë, kanë votuar për të ndërtuar institucione të reja që do të duhej të ballafaqoheshin me sfidat e qytetarëve. Fatkeqësisht asgjë nuk është duke ndodhur. I bëjmë thirrje z. Kurti që të reflektojë. I bëjmë edhe një herë apel në mënyrë që të ecim tutje”, tha Çitaku.

Por, deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, i akuzoi partitë opozitare për ngërçin politik. Ajo tha se në thelbin e kundërshtimit të kandidaturës së Albulena Haxhiut nuk është vetë kandidatja Haxhiu. Ajo theksoi se partitë opozitare po përpiqen të pamundësojnë krijimin e qeverisë së re me kryeministër Albin Kurtin.
“Partitë opozitare e dijnë që Lëvizja Vetëvendosje i ka votat për formimin e qeverisë. Ata nuk duan që Albin Kurti të jetë kryeministër. S’e kanë problemin me Albulena Haxhiun, por me Kurtin. Ata e dijnë se ne i kemi votat për Kurtin”, tha Kryeziu.
“Ata po e përdorin të vetmin mjet që e kanë në duar për bllokim, të mos marrin pjesë në votim”, theksoi ajo.
Kryeziu kujtoi edhe një herë se propozimi i kandidatit apo kandidates për kryetar a kryetare të Kuvendit është e drejtë ekskluzive e partisë më të madhe në Kuvend.

Çështja e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë opozitare në Kuvend. Ato i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi më 15 maj një takim konsultativ me liderët e partive parlamentare, por nuk arriti të sigurojë konsensus për konstituimin e Kuvendit.
Nga konstituimi i Kuvendit varet formimi i qeverisë së re.
Pa konstituikmin e Kuvendit nuk mund të merret vendim as për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme eventuale, në rast se për këtë janë dakord shumica e subjekteve politike.
Kjo krizë vjen pasi asnjë parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme dhe deri më tash nuk ka asnjë marrëveshje për krijimin e shumicës në Kuvend.
(r.m.)