Prishtinë, 2 qershor 2025 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar përsëri të hënën, për herë të njëzetepestë, ta konstituojnë legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe këtë herë, shumica e deputetëve nuk morën pjesë në votimin për forimin e komisionit për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryetar të Kucvendit, për të pamundësuar votimin e fshehtë të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, më 2 qershor, që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën e 4 qershorit.
Votimi i fshehtë u propozua më 1 maj , pasi kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e propozuara nga partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk arriti t’i merrte 61 votat e nevojshme në disa votime radhazi.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e votimit të fshehtë, pasi konsiderojnë se votimi i fshehtë për një çështje për të cilën është bërë një votim i hapur është kundërkushtetues. Tri partitë opozitare kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetueses që të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.
Albulena Haxhiu konsiderohet si “figurë përçarëse” nga PDK-ja dhe AAK-ja. Ato kanë kërkuar që LVV-ja të propozojë një kandidat tjetër për kryetare të Kuvendit, ndërsa LDK-ja ka thënë se nuk do të votojë për asnjë të propozuar nga LVV-ja.
Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, e cila ngul këmbë se Haxhiu e meriton të zgjidhet dhe, ndonëse ka kërkuar marrëveshje politike me partitë e tjera, e ka përjashtuar mundësinë të sjellë kandidat tjetër pos saj.
Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
(r.m.)