Prishtinë, 17 qershor 2025 – Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish procesi i konstituimit të përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Edhe në tentimin e 33-të me radhë, sikurse edhe në seancat paraprake, deputetët e partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë refuzuan të votojnë për formimin e komisionit që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ata do të mblidhen sërish të enjten, më 19 qershor.
Kjo është hera e 25-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe nuk votojnë apër formimin e komisionit që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit.
Për zgjedhjen e kryetarit nevojiten votat e 61 deputetëve. LVV, deri më tani, nuk ka arritur t’i sigurojë ato, kështu që po propozon votim të fshehtë, me shpresë se në votim të tillë do të siguronin votat e nevojshme për Haxhiun.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, i takon që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Ky subjekt këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është personi i duhur për të udhëhequr organin ligjvënës, ndonëse për PDK-në dhe AAK-në ajo konsiderohet figurë përçarëse.
Çështja e ndryshimit të mënyrës së votimit – nga të hapur në të fshehtë – është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata të vendosë “një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim”.
Teksa vendi është pa institucione të reja, mbi katër pas mbajtjes së zgjedhjeve, javën e kaluar kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shpalosi një plan me 15 pika për një qeveri të unitetit, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
Ky propozim është kundërshtuar nga LVV-ja, ndërkaq PDK-ja ka deklaruar se preferon formimin e një qeverie nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë. Një koalicion i tillë qeverisës preferohet edhe nga AAK-ja.
Seanca konstituive ka nisur më 15 prill. Por, që Kuvendi të konsiderohet i themeluar, deputetët duhet që të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët – për dy votimet kërkohen nga 61 vota.
Vetëm pasi Kuvendi të jetë konstituar, atëherë hapet rruga për formimin e ekzekutivit të ri.
(r.m.)