Dështon edhe tentimi i 23-të për konsituimin e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 29 maj 2025 – Ka dështuar edhe një herë përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Propozimi i partisë më të madher në Kuvend, Lëzisjes Vetëvendosje (LVV), për formimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nuk kaloi as të enjten, në vazhdimin e 23-të të seancës konstituive. Nga 111 deputetët që ishin të pranishëm në sallë, votuan vetëm 56. Prej tyre 55 deputetë votuan për dhe një votoi kundër.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhje Demokratike të Kosovës (LDK), Listër Serbe (LS) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) përsëri as nuk propozuan përfaqësues të tyre në komisionin e propozuar dhe as nuk morën pjesë në votimin për formimin e këtij komisioni.

Vazhdimi i radhës i seancës do të mbahet të shyunën, më 31 maj, në orën 10:30. 

Kjo ishte hera e 15-të që propozimi i LVV-së për votim të fshehtë për kryetar të Kuvendit refuzohet nga deputetët e PDK-së, LDK-së, LS-së dhe AAK-së. Tri subjektet shqiptare kundërshtojnë kategorikisht pjesëmarrjen në çfarëdo votimi për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu.

LVV i akuzon ato se po e bllokojnë qëllimisht procesin e konstituimit të Kuvendit, për të penguar krijimin e qeverisë së re nga kjo parti, e cila i ka fituar mbi 42 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ngërçi në procesin e konsituimit të Kuvendit e pengon procesin e krijimit të qeverisë së re nga cilido subjekt politik që mund të sigurojë shumicën në Kuvend. Ky ngërç e pamundëson edhe shpalljen eventuale të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, pasi vendimi për shpalljen e këtyre zgjedhjeve merret nga Kuvendi.

Sipas raportit të forcave në Kuvend, zgjidhja e ngërçit nuk mund të bëhet pa një marrëveshje politike, e cila nuk duket në horizont, ose pa pjesëmarrjen e deputetëve të Nismës Socialdemokrate, deputeti i vetëm serb që nuk është pjesë e Listës Serbe, Nenad Rashiq, dhe deputetët e komuniteteve joserbe. Tash për tash, edhe këta deputetë janë të ndarë.

(r.m.)

Comment

*