Prishtinë, 26 korrik 2025 – Procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës dështoi edhe në përpjekjen e fundit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Edhe në vazhdimin e dytë të ditës së shtunë, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që kryetari i Kuvendit të zgjidhet me votim të fshehtë nuk mori votat e nevojshme.
Përpjekja e dytë e së shtunës, e 54-ta me radhë që nga hapja e seancës konstituive, u zhvillua dhe përfundoi po sikurse përpjekjet e deritashme. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, u kërkoi Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Listës Serbe dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ta propozojnë nga një kandidat për komisionin e votimit votim të fshehtë, por ato as nuk propozuan kandidatë dhe as nuk votuan për formimin e këtij komisioni. Megjithatë, Dehari e hodhi në votim propozimin, por ai I mori vetëm 56 vota.
Vetëm pak minuta pas votimit të dështuar, me të hyrë në ditën e diel, hyri në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e procesit të konstituimit të Kuvendit deri më 8 gusht. Kështu, deputetët e zgjedhur nuk do të mund të marrin asnjë veprim apo vendim për konstituimit të Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e 24 korrikut, tha se çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë nga deputetët pas 26 korrikut e deri në vendimmarrjen e saj “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”.
Në ditët në vijim, pritet që Gjykata Kushtetuese të sqarojë se cilat do të jenë pasojat juridike për deputetët e zgjedhur dhe si duhet të zhvillohet më tutje procesi i konstituimit të organit ligjvënës të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 korrik, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me dy kërkesa: të sqaronte se cilat janë pasojat juridike në rast se konstituimi i Kuvendit nuk do të konstituohej deri më 26 korrik dhe të vendosë masë të përkohshme ndaj vendimit që përcaktonte afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit deri në nxjerrjen e një aktvendimi sa i përket kërkesës për pasojat juridike.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e mdhe në Kuvend, i fajësoi partitë tjera (Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës) për dështimin e procesit, ndërsa këto iu kundërpërgjigjën me akuza të rënda.
Hekuran Murati deputet i Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh ministër në detyrë i Financave, tha se procesi i konstituimit të institucioneve të reja është bllokuar nga partitë në opozitë.
”Me keqardhje, deri në orët e fundit, pavarësisht përpjekjeve, shtysës sonë që të krijohen institucionet, s’patëm sukses. E pamë që deputetët e opozitës sërish refuzuan të kryejnë obligimin e tyre kushtetues, që të votojnë. Nuk u është dhënë shansi deputetëve përmes votimit të fshehtë të krijoheshin institucionet e vendit”, u shpreh Murati.
“Atë që nuk ua dhanë qytetarët përmes votës, po tentojnë ta grabisin përmes këtyre manovrave”, theksoi ai.
Murati tha se tani nuk mund ta parashikohet se çfarë do të vendosë Gjykata Kushtetuese dhe si do të dilet nga situata e krijuar.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se bllokada aktuale politike në Kosovë është pasojë e “kryeneqësisë” së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Ai tha se për shkak të kësaj “kryeneqësie” Kosova sot gjenden në një situatë të panjohur deri më tash.
“Përkundër këshillës së qartë të Kushtetueses për kompromis dhe mirëbesim, kryeneçësia e Albin Kurtit dhe e partisë së tij ka qenë më e madhe sesa përgjegjësia e kërkuar, më e madhe edhe se shteti e demokracia dhe, për fat të keq, Kosova sot po ecën në një tokë të panjohur, në një terren të rrezikshëm kushtetues, institucional dhe shoqëror. Në një zonë gri, ku shteti s’ka më busull e qytetarët s’kanë adresë të qartë”, tha ai.
Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk votoi për formimin e komisionit të votimit të fshehtë sepse kjo është kundërshkushtetuese.
“Nuk bëhemi pjesë e shkeljeve të Kushtetutës. Ne do ta mbrojmë qytetarin, për Kosovën është derdhur gjak”, theksoi ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se LDK-ja e ka refuzuar bashkëpunimin me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, sepse ajo e vlerëson të shenjtë përgjegjësinë shtetërore.
“E kemi refuzuar bashkëpunimin me të sepse në përpjekjen tonë politike ka diçka shumë më të shenjtë, ka diçka më me vlerë sesa pozitat tona individuale, e asaj i thonë përgjegjësi shtetërore, përgjegjësi për të mos vazhduar e për të mos validuar një politikan që nuk e respekton Gjykatën Kushtetuese, që nuk e respekton Gjykatën Supreme, që nuk e respekton ligjin, Prokurorinë Speciale, ligjin e shtetin tonë. Nuk e respekton Republikën…”, u shpreh ai.
(r.m.)