Dështon Kosova. Në botëror shkon Turqia

Prishtinë, 31 mars 2026 – Kosova nuk arriti të kualifikohet për fazën finale të kampionatit botëror të futbollit që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, këtë verë.

Atje do të marrë pjesë Turqia, e cila e mundi Kosovën 1 me 0, në ndeshjen vendimtare që u zhvillua të martën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Golin e vetëm e shënoi Akturkoglu në minutën e 53-të, kur në zonën para portierit të Kosovës i erdhi një top disi papritur. Dhe Kosova, megjithëse bëri përpjekje, nuk arriti të shënonte.

Në përgjithësi, të dyja ekipet ishin pakashumë të barabarta. Në pjesën e parë ishte Kosova ajo që krijoi më shumë raste për shënim. Një herë e goditi edhe shtyllën horizontale të portës së ekipit turk (Fisnik Asllani). Në pjesën e dytë ishte Turqia ajo që dominoi në fushë, i krijoi disa raste për gol, por nuk shënoi. Por, në minutat e fundit ishte Kosova ajo sulmoi më shumë, i krijoi disa raste për gol, por nuk arriti të realizojë. Ekipi turk, në përbërje të të cilit kishte emra të mëdhenj të botës futbollistike, i përballoi me sukses rreziqet para portës së vet.

Lojtarët kosovarë ishin ngapak konfuzë, sigurisht edhe për shkak të presionit psikologjik, sepse publiku shqiptar kishte pritje të mëdha prej tyre, shpresonte që Kosova do të merrte pjesë në fazën finale të botërorit, që do të ishte një arritje historike.

Sidoqoftë, edhe arritja deri në këtë fazë të kualifikimeve për botërorin 2026 është një sukses shumë i madh i Kosovës.

Analistët e futbollit vlerësojnë se Kosova tashmë ka një përfaqësuese të denjë për përballje edhe me kombëtaret më të mira të botës. Ata thonë se ekipi i Kosovës është rritur shumë dhe do të jetë konkurrent për pjesëmarrje në kampionatin e ardhshëm evropian.

(r.m.)