Bruksel, 26 qershor 2024 – Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Albin Kurti e Aleksanadar Vuçiq, nuk u takuan sot në Bruksel, siç ishte pritur nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i të dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Ata paten takime të veçanta me Borrellin e Lajçakun, nuk u takuan me njëri tjetrin dhe në praninë e dy lehtësuesit e dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
Borrel e Lajçak provuan të organizonin një takim të përbashkët, të cilin disa vëzhgues të pavarur e konsiderojnë si përpjekje të tyre që të deklarojnë se megjithatë dialogu po vazhdon, ndërsa palëve t’u sigurohen përfitime nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Borrell: Kurti shtroi tri kushte për takim me Vuçiqin
Pas takimeve, Borrell tha se ishte pala kosovare ajo që e refuzoi takimin trepalësh.
“Kosova nuk ishte e gatshme për këtë, ndërsa Serbia po. Si përfundim, për fat të keq, sot nuk u arrit asnjë përparim në zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.
Borrell tha se kryeministri Kurti i ka paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e normalizimit.
“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiq, të datës 13 dhjetor 2023 dhe, së treti, dorëzimin e Milan Radojçiqit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, u shpreh Borrell.
Ai tha se Vuçiqi e refuzoi përmbushjen e kushteve të shtruara nga Kurti.
“Serbia nuk ishte e gatshme t’i përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës duke përmendur kufizimet kushtetuese, por presidenti Vuçiq tha se është i gatshëm të shqyrtojë opsionet në lidhje me letrën e ish-kryeministres dhe zyrtarizimin e marrëveshjes në përputhje me praktikën e kaluar të Dialogut për të zhbllokuar zbatimin e saj”, tha Borrell.
Ai tha se, para takimeve, BE-ja e kishte paraqitur një propozim të ri për planin e zbatimit të marrëveshjes, por ai nuk u diskutua për shkak të kushtëzimeve nga palët.
“Fatkeqësisht, kushtëzimi i zbatimit nuk lejoi që diskutimet të përqendrohen në veprime konkrete zbatuese nga palët”, tha ai.
Borrell theksoi se qëndrimet e palëve mbeten shumë të ndryshme për mënyrën se si mund të nisë zbatimi i marrëveshjes dhe se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha se emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë javën e ardhshme në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, për të vazhduar diskutimet mbi planin e zbatimit të marrëveshjes dhe mbi çështje të tjera të dialogut.
“Tani u takon të dy palëve të tregojnë konstruktivitet dhe të mundësojnë që procesi të ecë përpara. Kjo është në interesin e tyre dhe në interes të aspiratave të tyre për integrim evropian”, theksoi Borrell.
Vuçiq: Kurti nuk dëshiron as të më shohë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u tha medieve serbe në Bruksel se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dashur as ta shohë.
“Unë jam kthyer në takim tri herë. Ai person nuk dëshiron as të më shohë. Ata [ndërmjetësuesit] thanë se nuk ai Kurti] ishte gati për një takim me mua”, deklartoi Vuçiq.
Ai theksoi se gjatë bisedave dypalëshe me ndërmjetësuesit ka shprehur “përkushtimin e plotë” të Beogradit për vazhdimin e bisedimeve.
Vuçiq tha se Kurti dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën.
“Tani kanë dalë me disa kërkesa të tjera, por në thelb është një njohje de jure”, u shpreh ai.
Vuçiq tha se në takimet dypalëshe me ndërmjetësuesit evropianë është folur “për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe me zbatimin e marrëveshjeve”.
Edhe ai tha se javën e ardhshme në Bruksel pritet të zhvillohen takime ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.
Ndërkohë, nëpërmjet një postimi në Instagram, Vuçiq theksoi ai ka insistuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti: Kërkuam garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se ai i ka shtruar tri kushte që të zhvillohet takimi trepalësh në Bruksel. Ai i cilësoi ato kushte si “garanci për mirëbesim dhe për vullnet të mire” të pales serbe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
“Konsiderojmë që Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i zbatimit të saj janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme por edhe e arritur e BE-së, e cila ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu. Hera e fundit kur kemi pasur takim trilateral ka qenë më 14 shtator të vitit të kaluar… Ka ndodhur shumëçka prej atëherë. Ka ndodhur Banjska, por edhe letra e tërheqjes nga Marrëveshja Bazike”, tha Kurti.
“Ajo çka kemi bërë ne sot është që e kemi mbrojtur Marrëveshjen Bazike… Sulmi është nga mosnënshkrimi i marrëveshjes, nga letra e Bërnabiqit dhe nga mosdorëzimi i Radoiçiqit, i cili në Serbi dhe i vazhdon trajnimet për sulme të reja”, shtoi ai.
Kurti tregoi se kusht themelor për progress të dialogut është zbatimi i Marrëveshjes Bazike, e cila, sipas tij, e ka në qendër “njohjen de facto” të Kosovës nga Serbia.
“Marrëveshja Bazike e ka në qendër njohjen de-facto, së paku. Ne nuk mund të lejojmë që Marrëveshja Bazike të hidhet në prapavijë, duke e bërë çështje urgjente Asociacionin…Nuk e mohojmë trashëgiminë e qeverive të mëhershme, por duhet të mbrojmë Marrëveshjen Bazike…”, theksoi ai.
Kurti theksoi gjithashtu se pa dorëzimin e Radojçiqit nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, madje as paqe midis tyre.
“Organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, duhet t’u dorëzohet organeve tona të drejtësisë, përndryshe normalizimi dhe paqja nuk ndodh në rajon”, theksoi ai.
Ndryshimet në udhëheqjen e BE-së dhe dialogu Kosovë – Serbi
Joseph Borrell, në vjeshtë duhet t’i lërë postin pasardhësit të tij, zgjedhja e të cilit mund të vendoset ditëve të ardhshme në takimin e udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Në fund të mandatit është edhe i dërguari Lajçak i cili është emëruar ambasador i bllokut në Zvicër, por gjatë vizitës së fundit në rajon tha se do të qëndrojë në postin aktual deri në muajin janar.
“Brenda pak kohe do të ketë njerëz tjerë dhe emra të tjerë në postet tona por marrëveshjet, përfundimet e Këshillit dhe pritshmëritë e BE-së do të jenë të njëjtat. Shtetet anëtare nuk do të ndryshojnë, detyrimet e Kosovës dhe Serbisë nuk do të hiqen. Të gjithë do të vazhdojnë të shohin gatishmërinë e presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës për të siguruar një të ardhme më të mirë evropiane për njerëzit e tyre. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në qendër të angazhimit evropian rreth Ballkanit Perëndimor. Përparimi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve është gjithashtu ngushtë i lidhur me rrugën e tyre integruese”, tha më herët gjatë ditës zoti Borrell.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, pak ditë para ngjarjeve të 24 shtatorit, kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre nga sulmuesit mbetën të vrarë gjatë përleshjeve.
Ngjarja ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon dhe diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të nxitur palët që të zbatojnë marrëveshjen e normalizimit, e cila nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia. Marrëveshja kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese si dhe të përmbushin të gjitha marrëveshjet arritura më parë mes tyre.
Me 27 tetor të vitit të kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë që të njohë ‘de-facto’ shtetësinë e Kosovës, që nënkupton zbatimin e parimeve të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit.
Por, procesi i themelimit të Asociacionit ende nuk ka filluar, ndërsa Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ apo ‘de jure’ të Kosovës.
Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja, ndonëse nuk është nënshkruar, është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimit evropian të tyre.
(r.m.)