Prishtinë, 7 gusht 2026 – Deputetët e partive opozitare u mblodhën në Kuvend të premten vonë, në pritje të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Por, seanca nuk vazhdoi, për shkak të mungesës së deputetëve të partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryesuesit të seancës, deputetit Avni Dehari, i cili pak orë më parë e kishte thirrur vazhdimin e seancës për të shtunën në orën 11:00.
Deputetët e partive opozitare i gjetën të kyçura dyert e sallës së seancave plenare, prandaj u mblodhën dhe pritën në sallat e grupeve të tyre parlamentare deri në orën 24:00, kur skadoi afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Vazhdimi i seancës plenare për sonte u ftua nga grupi parlamentar i Aleancës e në koordinim me grupet parlamentare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Shefi i grupit parlamentar të AAK-së tha se kërkesa për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme ishte bërë në pajtim të plotë me Rregulloren e Punës së Kuvendit, por ajo u shpërfill nga grupi parlamentar i LVV-së dhe kryesuesi i seancës konstituive.
Të tri partitë opozitare e akuzuan LVV-në dhe kryetarin e saj Albin Kurti për shkelje të rednit kushtetues të vendit. Ato paralajmëruan se mosrespektimi i afatit kushtetues për formimin e institucioneve mund të ketë pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues dhe ta shtyjë vendin në një zonë të errët kushtetuese e juridike.
Këto paqartësi dolën në pah edhe nga debatet publike që i shoqëruan zhvillimet e sotme në Kuvend. Shumica e juristëve thanë se afati për përfundimin e procesit të konstituimit të Kuvendit skadoi në orën 24:00, prandaj ushtruesja e detyrës së presidentit duhet të caktojë menjëherë datën e zgjedhjeve të reja.
Procesi për konstituimin e organit më të lartë ligjvënës hasi në ngërç po sikurse në fillim të vitit të kaluar, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm të Republikës.
LVV, bashkë me subjektet politike të komuniteteve joserbe, i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, por nuk mund ta krijojë kuorumin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. LVV dhe LDK shprehën gatishmërinë t’i formojnë bashkërisht infitucionet e reja, por nuk u pajtuan pikërisht për pozitën e Presidentit.
LVV këmbëngul që presidenti i ardhshëm të jetë një figurë jopolitike konsensuale, kurse LDK kërkon që pozita e ptresidentit t’i takojë asaj. Lideri i LVV-së, Albin Kurti, e përdor si argument rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, thirret në nevojën e balancës së pushteteve.
PDK-ja nuk është përfshirë në bisedimet për formimin e institucioneve me që ka marrë vendim që deri në zgjedhjet e ardhshme të qëndrojë në opozitë, ndërsa Aleanca ia ka shtruar LVV-së disa kushte për bashkëpunim në procesin e formimit të institucioneve, të cilat kanë hasur në vesh të shurdhër.
(r.m.)