Dështon sërish zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, vazhdimi i seancës caktohet për të premten

Prishtinë, 23 prill 2025 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan edhe në përpjekjen e pestë zgjedhjet e Kryetrit të Kuvendit.

As në votimin e tretë, Kandidatja e Lëvizjës Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve, Albulena Haxhiu, nuk i fitoi votat e nevojshme për të zgjedhur kryetare e Kuvendit, prandaj Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e ndërprerë do të vazhdojë të premten në orën 10:00.

Deputetët e partive opozitare votuan përsëri kundër zgjedhjes së Haxhiut.

Krasniqi: LVV-ja ka vendosur ta mbajë peng shtetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ktha pas ndërprerjes së seancës se procesi i formimit të institucioneve të Kosovës është në një situatë çfarë nuk ka qenë asnjëherë dhe për këtë e akuzoi LVV-në.

“Po rrëshqasim në një fazë që asnjëherë s’i ka ndodhur Republikës së Kosovës”, tha ai

“Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit… ka vendosur ta mbajë peng shtetin, për shkak të tekeve të tyre, për një emër të përveçëm”, shtoi ai.

“Nuk mund t’ua imponojnë emrin deputetëve të opozitës. Mentaliteti arbitrar i marrjes së votës me zor nuk ka vend në një sistem demokratik”, theksoi ai.

Ai tha se PDK-ja do ta votonte “një kandidate ose kandidat që nuk ka histori të përçarjes”.

Hykmete Bajrami: LDK-ja s’është e gatshme për marrëveshje politike

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha pas seancës se partia e saj nuk është e gatshme për marrëveshje politike me partinë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk po arrin ta emërojë kryetarin e Kuvendit.

“Ne e kemi thënë disa herë se nuk jemi të gatshëm për marrëveshje politike. Kryetari i Kuvendit zgjidhet në dy forma, ose me marrëveshje politike ose duke e sjellë një kandidat, i cili do të ishte i pranueshëm”, tha Bajrami.

Ajo e përsëriti se LDK-ja nuk do ta votojë “asnjë kandidat” të LVV-së për shkak të “historisë së tyre”.

“E keni parë se edhe pas betimit si deputetë, atë vazhdojnë të dalin në zyre dhe i kanë marrë peng institucionet e Kosovës, që nënkupton këta e kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën”, shtoi Bajrami.

Haradinaj: Nëse LVV-së i duhen votat tona, duhet bashkëpunim

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se përgjegjësia për dështimin e seancës për konstituimin e Kuvendit bie mbi LVV-në.

“Faji bie mbi atë që s’e ka shumicën e s’jep opsion bashkëpunimi. Nëse u duhen votat tona, duhet bashkëpunim”, tha ai.

Haradinaj tha se partia e tij është e interesuar për zgjedfhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.

“Më vjen keq që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) s’po ka mirëkuptim për kalimin e kësaj situate. Beteja politike nuk është zhvilluar asnjëherë për kryetar Kuvendi dhe për konstituimin e Kuvendit”, tha ai.

Haradinaj shtoi se LVV-ja duhet të propozojë një kandidaturë unifukuese.

“Do të ishte në interesin e tyre ta prezantojnë një kandidaturë unifikuese, të kalojë ky bllokim”, theksoi ai.

Haradinaj u pyet edhe për mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjen drejt zgjedhjeve të reja.

“Edhe për të shkuar në zgjedhje duhet dakordimi i opozitës”, u shpre ai.

Mimoza Kusari-Lila: Haxhiu nuk mund të kontestohet

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se Albulena Haxhiu i përmbush kushtet për të qenë kryetare e Kuvendit të Kosovës. Ajo tha se lehtësia me të cilën po kërkohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje “është tërësisht e papranueshme”.

“Për të gjithë ata që e kritikojnë Albulena Haxhiun, ju them se ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit me 125 mijë vota. Pesha politike dhe legjitimiteti i zonjës Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme”, tha ajo.

Murati: Opozita po bllokon konstituimin e Kuvendit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, tha se deputetët e partive p[ozitare nuk janë të interesuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Janë totalisht të painteresuar që të zhbllokojnë procesin. Përkundrazi, edhe bllokojnë, edhe nuk duan të hapin rrugë që të tjerët të zhbllokojnë. Me votën e tyre kundër [propozimit të LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu], ata po e pamundësojnë konstituimin e Kuvendit”, tha Murati pas ndërprerjes se seancës.

Edhe Murati kujtoi se Albulena Haxhiu, e cila nga partitë opozitare po cilësohet si figurë jounifikuese, është kandidatja më e votuar në legjislaturën aktuale.

(r.m.)

 

Comment

*