Prishtinë, 5 mars 2026 – A do të shkojë Kosova edhe një herë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Kjo pyetje shtrohet pasi Kuvendi i Kosovës, edhe në seancën e orës së fundit, dështoi të zgjedhë presidentin e ardhshëm të vendit brenda afatit kushtetues, i cili skadon sot, e premte, 5 mars 2026, në orën 23:59.
Juristët janë të ndarë në interpretimin e normave kushtetuese lidhur me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Disa mendojnë se Presidentja duhet të shpallë shpërbërjen e Kuvendit dhe datën e zgjedhjeve, me arsyetim se zgjedhja nuk është bërë brenda afatit kushtetues. Për disa të tjerë mendojnë se Kuvendi ka edhe 60 ditë afat për zgjedhjen e presidentit, me që Kuvendi e ka nisur procedurën e zgjedhjes së presidentit.
Duket se edhe këtë herë do të ketë nevojë për interpretimin e Gjykatës Kushtetuese.
Si erdhi deri në këtë pikë?
Vetëm një orë para skadimit të këtij afati, me kërkesë të 42 deputetëve të shumicës parlamentare u bë edhe një përpjekje për shmangien e zgjedhjeve, pasi Lëvizja Vetëvendosje e propozoi edhe një kandidat të dytë për president, për të plotësuar kriterin kushtetues që në Kuvendt ë paraqiten së paku dy kandidatë për pozitën e të parit të shtetit.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila një ditë më parë e kishte propozuar si kandidat të saj Glauk Konjufcën, e propozoi për kandidate edhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun.
Por, votimi për këta dy kandidatë dështoi, për shkak të mungesës së kuorumit për votim të vlefshëm. Në votim morën pjesë vetëm 66 deputetë, për shkak se deputetët e opozitës (PDK-sëm, LDK-së dhe AAK-së) dhe deputetët e Listës Serbe e bojkotuan pjesëmarrjen në seancë dhe në votim.
Sipas Kushtetutës, presidenti zgjidhet me votë të fshehtë. Në dy votimet e para, duhet të marrin pjesë së paku dy të tretat e deputetëve ose 80 deputetë, ndërsa president zgjidhet kandidati që i fiton dy të tretat e deputetëve ose 80 deputetë. Në qoftë se asnjëri nga kandidatët nuk arrin t’i fitojë 80 vota, zhvillohet edhe një votim i tretë, në të cilin përsëri duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë, por president zgjidhet kandidati që i fiton së paku 61 vota.
Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendit u mbajt me urgjencë, pas dështimit të seancës tjetër të jashtëzakonshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit me votë të drejtëpërdrejtë të qytetarëve.
Edhe kjo seancë u ndërpre për shkak të mungesës të kuorumit për votim të vlefshëm. Në këtë seancë munguan deputetët e Listës Serbe, gjë që e pamundësoi hedhjen në votim të amendamenteve kushtetuese.
Sipas Kushtetutës në fuqi, ndryshimet kushtetuese miratohen me shumicë të dyfishtë – me votat e dy të tretave të deputetëve të përbërjes së Kuvendit dhe me votat e dy të tretave të deputetëve të grupeve etnike joshumicë.
Para verifikimit të kuorumit për votim, subjektet politike shprehën qëndrimet e tyre për amendamentet që iu dërguan Kuvendit për miratim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Lëvizja Vetëvendosje u deklaruar për miratimin e amendamenteve. Po ashtu edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe grupi parlamentar i komuniteteve joshumicë joserb, ndërsa kundër miratimit të tyre u deklarua Partia Demokratike e Kosovës. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte kundër amendamentimit të Kushtetutës, prandaj deputetët e saj nuk morën pjesë në seancë.
Amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me votë të drejtpërdrejtë të qytetarëve ishin hartuar nga Komisioni për Amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011 dhe e kishte kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.
Ato u proceduan për miratim në Kuvend nga Presidentja Vjosa Osmani me urgjencë, për shkak të bllokimit të procesit të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm nga Kuvendi i Kosovës. Ky proces u bllokua pasi tri partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhje Demokratike e Kosovës – nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e një kandidati me konsensus.
(r.m.)