Dhjetëra cisterna nafte të bllokuara në Gjirin Persik

Dhjetëra cisterna me naftë janë bllokuar në ujërat e Gjirit Persik, është duke raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

Sipas agjencisë, bazuar në të dhënat e faqeve që monitorojnë trafikun në atë zonë, “të paktën 150 cisterna” me naftë të papërpunuar dhe gaz të lëngshëm natyror janë ankoruar pranë Ngushticës së Hormuzit dhe nuk po lëvizin.

Pas sulmeve amerikane dhe izraelite të 28 shkurtit ndaj Iranit, forca detare e Gardës Revolucionare të Iranit ka paralajmëruar se do të bllokojë rrugën e anijeve përmes kësaj ngushtice.

Çfarë është Ngushtica e Hormuzit?

Ngushtica e Hormuzit është një grykë e vogël, por rreth 20 për qind e naftës së botës qarkullon nëpër të – apo mbi 15 milionë fuçi çdo ditë.

Shtetet sikurse Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari – madje edhe vetë Irani – varen nga kjo ngushticë për të eksportuar naftë dhe gaz.

Prandaj, nëse diçka e bllokon ngushticën, efektin e vëren e gjithë bota.

Irani ka kërcënuar me mbyllje të ngushticës edhe në të kaluarën. Dhe, teknikisht mundet ta bëjë këtë – duke e bërë kalimin nëpër të shumë të rrezikshëm, ose edhe duke ndalur përkohësisht mallrat.

Irani ka ndërtuar fuqi të madhe në rajon: anije të shpejta sulmuese, mina detare dhe raketa kundëranije.

Për të treguar seriozitetin, Irani ndër vite ka kryer stërvitje, dhe me raste i ka penguar anijet.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*