Tiranë, 25 tetor 2026 – Ditën e 12 të protestës antiqeveritare në Tiranë ndodhën përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë protestës, e cila eskaloi në dhunë sidomos pasdite dhe në mbrëmje, pati sulme me gurë, fishekzjarre e molotovë nga ana e protestuesve dhe me shkopinj gome, sprej djegës, gaz lotsjellës, vrushkoj uji dhe plumba gome nga ana e pjesëtarëve të policisë.
Nga Tirana raportohet për dhjetra persona të lënduar gjatë përplasjeve dhe akteve të dhunshme. Një prej rasteve më të rënda është ai i një protestuesi të plagosur në syrin e majtë, me plumb gome të shkrepur nga policia. Erjon Vishkulli, 28-vjeçar, i është nënshtruar operacionit në mbrëmje vonë. Njëri nga mjekët e klinikës ka thënë se Vishkulli është nën mbikëqyrje dhe se në këtë fazë nuk mund të thuhet asgjë për epilogun përfundimtar të operacionit.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në Spitalin e Traumës janë trajtuar 16 persona, mes tyre 12 protestues, 2 përfaqësues të medias dhe 2 efektivë policie.
Në QSUT janë paraqitur 5 persona, mes tyre një deputet, një protestues, 2 policë dhe një përfaqësues i medias. Ndërsa në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 kanë marrë trajtim 2 efektivë policie.
Sipas Ministrisë, personat e trajtuar në QSUT dhe poliklinikë janë larguar pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë raportoi dy raste të dhunës ndaj gazetarëve të shtunën, duke e çuar në 45 numrin e rasteve të raportuara dhe të dokumentuara të dhunës ndaj punënosve të medies prej 13 tetorit deri të shtunën, më 24 tetor.
(r.m.)