Tiranë, 28 qershor 2022 – Dhoma Amerikane e Tregtisë deklaroi të hënën se Indeksi i Biznesit ka pësuar rënie 3-4 vitet e fundit, duke shënuar sërish një ulje të besimit, që ka komuniteti i biznesit ndaj terrenit ekonomik dhe klimës së investimeve në Shqipëri. Indeksi vjetor dhe vlerësime të tjera dalin nga anketimi që Dhoma Amerikane bën me anëtarët e vet.
“Përballë presioneve ekonomike nga jashtë, Shqipëria e ka vetë në dorë një reformë për përmirësimin e klimës së biznesit brenda vendit. Dhoma Amerikane i ka propozuar qeverisë një paketë me 40 rekomandime për të rregulluar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investime të huaja dhe një grup po merret me to, por vetëm një e treta është zbatuar deri tani”, tha Presidenti i Dhomës, Enio Jaço.
Dhoma kërkon procedura të shkurtuara, transparente dhe me sa më pak takime me administratën, uljen e monopoleve, si dhe lehtësira për kompanitë e huaja bazuar në përmasën e investimit dhe në numrin e vendeve të reja të punës që krijon.
“Kemi kërkuar miratimin në Kuvend të një paketë ligjore anti-korrupsion, për të parandaluar dhe më pas për të ndëshkuar ryshfetet sipas standarteve të OSBE, që përfshijnë zyrtarët e lartë dhe të mesëm. Edhe sistemi i prokurorimeve publike duhet reformuar sipas rekomandimeve të BE-së, për të shmangur vendimet korruptive përmes transparencës më të madhe”, tha zoti Jaço.
Po ashtu projekt-ligji për sistemin tatimor, sipas tij, nuk përmbush standartet ndërkombëtare dhe nuk përmbush detyrat në luftën ndaj informalitetit.
Dhoma Amerikane e Tregtisë është një nga komunitetet më të fuqishme të biznesit në Shqipëri. Dhoma përbëhet nga 225 kompani, 65 nga të cilat janë me kapital krejtësisht amerikan dhe global, 81 janë pjesërisht amerikane, ndërsa 78 janë me kapital shqiptar, që aspirojnë të zhvillojnë tregti me Shtetet e Bashkuara.
Kompanitë e Dhomës Amerikane kanë mbi 30 mijë punëtorë dhe 3.1 miliardë dollarë të ardhura vjetore, ose sa 20% të ekonomisë shqiptare.
Qeveria nga ana e saj thotë se po ul korrupsionin përmes shërbimeve online dhe një reforme strukturore në sistemin e tatim-taksave, e ndërkohë po përpiqet të zbusë spekullimet e tregjeve që kanë ardhur prej çrregullimeve të përbotshme, që shkaktoi sulmi rus mbi Ukrainën.
Ekonomia shqiptare është ndikuar nga presionet ekonomike globale, ndërsa lufta në Ukrainë ka përshpejtuar inflacionin dhe ka çrregulluar zinxhirin e furnizimeve me mallra.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)