21 shkurti është dita e gjuhês amtare, një ditë që njihet dhe nuk njihet, një ditë që pa asnjë dyshim është tradita më e bukur të cilit po i kushtojmë këtë dialog me Drita Gjongecaj, drejtuese në arsimin publik në Nju Jork, krijuese e shkollës shqipe “Children of the Eagle”, ideatore dhe zbatuese e Seminarit të përvitshëm mbi gjuhën shqipe dhe pêrsosjen e saj në Diasporë.
M. Bulku: A është gjuha shqipe një sfidë e së ardhmes për gjeneratat që rriten këtu?
D. Gjongecaj: Gjuha shqipe është një sfidë e pamohueshme për gjeneratat që po rriten në diasporë, sfidë që përfshin disa aspekte që lidhen me vetë natyrën e jetesës në vend të huaj. Ndonëse dëshira dhe ndërgjegjësimi i emigrantëve mbi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës në përgjithësi egziston, një faktor që e vështirëson atë është qasja që vetë shqiptarët i bëjnë këtij problemi.
Shumë prindër që kanë ardhur në moshë madhore në Amerikë, mendojnë se mund t’ia dalin vetë t’ua mësojnë shqipen fëmijëve dhe nuk u bashkohen programeve shkollore që ofrohen. Praktika ka treguar në më të shumtën e rasteve që prindërit kanë dështuar në këtë drejtim pasi gjuha vendase, ngarkesa e jetës së përditshme, koha e pakët për ata që punojnë, etj, e kufizojnë mundësinë e përmbushjes së saj. Shumë herë prindërit kanë edhe konceptin e gabuar që përdorimi i shqipes do t’i lërë mbrapa me anglishten, pa harruar këtu edhe atë kategori prindërish që për të përparuar vetë me anglishten, flasin me fëmijët vetëm në anglisht.
Përdorimi masiv i teknologjisë është një tjetër faktor që stimulon gjuhën vendase. Po ashtu, mjedisi ku jetojmë nuk e mbështet familjarizimin me gjuhën shqipe; në shkollë, punë, madje edhe në familje pak flitet shqip. Nuk duhet harruar në mes të tjerash që shqipja nuk është gjuhë e lehtë për t’u mësuar, nuk ka ngjashmëri me gjuhen angleze dhe se gramatika, format e ndryshme që marrin fjalët gjatë përdorimi në fjali e vështirësojnë atë edhe më shumë. Gjithsesi vihet re një tendencë dhe dëshirë e të rinjve për të mësuar shqip dhe kjo premton për më shumë. Ne kemi edhe të rritur që marrin mësime gjuhe në shkollën tonë dhe ky sinjal vërteton vullnetin dashamirës ndaj gjuhës tonë.
M. Bulku: Qasja juaj ndaj këtij proçesi që zgjat gjithë jetën duket shumë interesant, ju i afroheni fëmijëve përmes edukimit në klasë, përmes metodologjive më të mira, një stafi mësimdhënësish tejet vital, faktorëve ndihmës dhe nxitës si; vizitat, projektet, ftesat, seminaret, etj;si mendoni cilat rezultojnë më të dashura për fëmijët sipas jush?
D. Gjongecaj: Për ne, shumëllojshmëria e metodave mbetet prioritare në mënyrë që të mbajmë gjallë e ta shtojmë interesin e fëmijëve dhe të të rinjve ndaj mësimit të gjuhës shqipe. Dihet që fëmijët dhe rinia e sotme e kanë kohëzgjatjen e fokusimit më të shkurtër se c’ka qenë para kohës së elektronikës; domethënë ata nuk e preferojnë shumë metodën tradicionale të mësimit. Më shumë pëlqehet mësimi përmes lojës sidomos për moshat e vogla. Kjo metodë është jo vetëm zbavitëse por u jep edhe mundësinë e të përsëriturit që është kyçi i mësimit të një gjuhe. Mësimi nëpërmjët teknologjisë është po aq i preferuar dhe frutdhënës.
Një nga risitë që ne kemi sjellë në programin tonë janë vizitat që kemi mundësuar për fëmijët në vende ku flitet shqip, ku ka histori, letërsi, art dhe kulture shqiptare, etj. Vizitat e organizuara në ambientet e Shoqatës Vatra, Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës, shëtitja në pjesën tregtare të Arthur Ave, etj. janë experienca të pashlyeshme që i japin kuptim real atyre që mësohen në klasë dhe njëkohësisht përforcojnë mësimin e gjuhës.
Ajo që e bën të veçantë dhe superiore shkollën shqipe Children of the Eagle është se mësueset tona kanë kualifikimin më të lartë në mësimdhënie; ato janë profesioniste të licensuara dhe aktualisht punojnë me kohë të plotë në Departamentin e Arsimit të NY. Me fjalë të tjera, stafi ynë jo vetëm flet shqip por edhe i njeh metodat bashkëkohore mësimore, njeh edhe psikologjinë e fëmijëve të lindur e rritur në Amerikë.
M. Bulku: Miqtë e shkollës shqipe “Children of the Eagle” sa rol, peshë dhe rëndësi kanë ato?
D. Gjongecaj: Miqtë i kemi të shumtë dhe të çmuar dhe mund të themi pa frikë se miqtë dhe bashkëpunëtorët më të afërt të shkollës shqipe janë vetë prindërit. Prej tyre kërkohet një angazhim i madh që të gjejnë kohën t’i sjellin fëmijët në shkollë. Ata gjithashtu punojnë krahas mësuesve për të rrënjosur dëshirën për të mësuar shqip, për të mësuar rreth trojeve tona, historisë, etj. Misioni ynë është i tillë që kërkon angazhim kompleks përndryshe rezultatet nuk do jenë ato që presim.
Në shtatorin e këtij viti shkollor, fëmijët, prindërit dhe mësuesit e shkollës Children of the Eagle patën nderin të vizitohen nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, z. Gent Caka dhe Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Washington, znj. Floreta Faber. Kjo është një shprehje e miqësisë, inkurajimit dhe vlerësimit të punës sonë.
Miqtë e tjerë janë dashamirë që na mbështesin me mënyra të ndryshme, që nga vlerësimi dhe inkurajimi për të vazhduar punën tonë, njohja publikisht e arritjeve tona, aktivitetet e përbshkëta për sensibilizimin e komunitetit shqiptar, vënia në dispozicion e ambienteve për aktivitete të veçanta, etj. Mbështetje të konsiderueshme kemi pasur edhe me libra nga Konsullata e Kosovës dhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë ndonëse këto nuk kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar krejt nevojat tona. Megjithëse relativisht e re, shkolla jonë ka marrë vlerësime të shumta për shërbim cilësor ndaj komunitetit shqiptar, si p.sh nga Misioni i Kosovës në NY, nga organizata Motrat Qiriazi, nga Festivali i 5të i shkollave shqipe, etj. Mbështetje financiare nuk kemi pasur deri tani e për këtë arsye fundraising është një nga burimet e pakta për të mbuluar shpenzimet përgatitore për mësimin apo aktivitetet me fëmijët, shpenzimet organizative, qiranë dhe siguracionin për ambientet e mësimit, etj.
M. Bulku: Identiteti i Children of the Eagle 🦅 e dëshmon përkatësinë shqiptare qysh në emërtim, autenticiteti i saj vuloset edhe në kremtimin e një kalendari festiv që është tipik shqiptar, çfarë ka stacionuar te fëmijët kjo?
D. Gjongecaj: Ju falenderoj që e sillni në bisedë edhe emërtimin e shkollës që është sa domëthënës edhe tipik shqiptar, edhe pse në anglisht. Duke i quajtur “Fëmijët e Shqipes” kemi bërë të mundur që nxënësit tanë ta përfaqësojnë dhe përcjellin me krenari simbolin e lashtë të shqiponjës edhe te bashkëmoshatarët e tyre jo shqiptarë në ambientet ku studiojnë, jetojnë, apo në aktivitete të shumta ku ata marrin pjesë. Po ashtu, kalendari festiv sic e quani ju, pasqyron identitetin tonë dhe përfshin data të shënuara që janë mësim më vete rreth historisë së popullit tonë. Po përmend vetëm disa që kanë lënë gjurmë në kujtesën e fëmijëve dhe prindërve: Me rastin e 11 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, një grup nxënësish, prindër dhe mësues vizituan ambientet e Konsullatës së Kosovës, vizitë që është e barazvlefshme me një seri të tërë mësimesh të zhvilluara në klasë. Aty ishte e gjallë historia, arti, mikpritja tipike shqiptare, etj, etj.; vizita në Selinë e Vatrës, njohja më nga afër me përpjekjet për ruajtjen dhe përhapjen e shqipes, historia e diasporës, etj; projekti i hartuar me shumë dashuri nga fëmijët tanë me rastin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, projekt që iu bë dhuratë Konsullatës në qershor të 2019; koncerti në Montessori School në Yonkers me rastin e Ditës së Flamurit; Festa e 1 Qershorit, e shumë të tjera.
Të gjitha këto kanë vlerë të shumëfishtë, ato shtojnë krenarinë për identitetin tonë, mbajnë të ndezur dëshirën për t’u njohur më shumë me traditat e kulturën, përforcojnë njohuritë gjuhësore, etj.
M. Bulku: Një shkollë relativisht e re por me produkte cilësore që maten dhe prevalojnë në një ditë si kjo, çfarë i tërheq më shumë fëmijët që po rriten këtu; një ditë feste shqip, një ditë mësimi shqip, një tubim për kauza shqip? Apo diçka tjetër?
D. Gjongecaj: Festat janë më të dashurat për fëmijët. Aty zbaviten por edhe shpalosin krenarinë e tyre fëminore që janë shqiptarë dhe janë pjesë e programit të shqipes. Është për t’u admiruar dhe të jep emocion kur sheh që fëmijët e duan programin shqip. Entuziazmi u lexohet në sy dhe kupton se ata janë të ndërgjegjshëm që po bëjnë dicka më shumë se moshatarët e tyre dhe vinë me gaz cdo të shtunë e të dielë. Natyrisht që lumturohen kur kanë ato minutat e pushimit midis mësimit dhe aktiviteteve. Ajo u ka forcuar marrëdhëniet shoqërore, një shoqëri ndryshe nga ajo që gjejnë në shkollën e përditshme – e ndjejnë se kanë edhe dicka tjetër të përbashkët që ua shton dëshirën për të qenë pranë njëri-tjetrit. Këtu fillon edhe njohja dhe të pranuarit në mënyrë të ndërgjegjshme të identitetit tonë shqiptar. Kjo për ne mësuesit flet shumë. Na bën të mos i përfillim lodhjen as sakrificën që nuk është e vogël.
M. Bulku: Këtë vit për herë të parë Dita e gjuhës amtare do të nderohet me një festim gala me miqtë e shkollës shqipe “Children of the Eagle”. A do na zbuloni disa nga miqtë tuaj, ato më besnikët, dashamirêsit, admiruesit, përfituesit?
D. Gjongecaj: Do ta filloja me z. Mark Gjonaj, Këshilltar i Qytetit të NY mbështetja e të cilit ka qenë esenciale. Mark Gjonaj ka përqafuar projektin e nisur nga organizata jonë, Albanian American Dual Language & Culture (AADLC), mbi hapjen për herë të parë në NY dhe krejt Amerikën të Programit Dy-Gjuhësor Anglisht – Shqip në shkollat publike. Mark Gjonaj e ka çuar projektin Dy-Gjuhësor në instancat më të larta të NY dhe ka siguruar miratimin zyrtar për futjen e shqipes në këto shkolla. Kjo është një arritje me shumë vlera për komunitetin shqiptar. Këtu dua të bëj një sqarim: Dual Language Program (Dy-Gjuhësia) nuk është programi i fundjavës që ne zhvillojmë me orë të reduktuara; ai është program i plotë që zhvillohet cdo ditë gjatë gjithë vitit shkollor, krahas lëndëve në anglisht. Shqipja përdoret në çdo lëndë përfshi edhe Matematikën apo Edukimin fizik, etj.
Një mike tjetër e vyer është Ambasadore Teuta Sahatqija. Znj. Sahatqija është më shumë se një mbështetëse e programit tonë. Unë me të drejtë e quaj znj. Ambasadore, partneren tonë. Përveç librave që na ka dhuruar, znj. Sahatqija është bërë pjesë e Seminarit Shkencor të Gjuhës Shqipe. Për më tepër, Seminari i Dytë vjetor është zhvilluar pikërisht në ambientet e Konsullatës së Kosovës duke na bërë të ndjehemi “si në shtëpinë tonë” siç e cilëson vetë ajo.
Nuk mund të lë pa përmendur këtu ndihmën që ju znj. Marjana i jepni AADLC dhe Children of the Eagle. Ju keni qenë pjesë aktive dhe keni kontribuar me referate në të dy seminaret e gjuhës shqipe, keni pasqyruar punën tonë në shkrime të ndryshme duke sensibilizuar komunitetin rreth punës sonë por edhe rreth diferencës në rezultat që sjell mësimi i shqipes në shkollë krahasuar me atë në familje. Është kënaqësi e veçantë që ju kemi anëtare në Bordin Këshillimor (Advisory Board) të shkollës dhe organizatës në tërësi.
Vargu i miqve e dashamirësve është i gjatë, nuk mund t’i përmend të gjithë. Por një vend të vecantë zë edhe znj. Beti Beno, Presidente e organizatës prestigjioze “Motrat Qiriazi” dhe Federata Panshqiptare Vatra.
M. Bulku: Një seminar kushtuar gjuhës shqipe organizuar nga ju & miqtë e shkollës “ Children of the Eagle” në dy vitet e shkuara në dy vende simbol të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë, selia e Vatrës dhe konsullata e Kosovës; pa dashur të zbulojmë shumë detaje si do jetë ky seminar gjuhsor i së ardhmes dhe cila ishte risia më e fundit?
D. Gjongecaj: Seminari i sivjetshëm do të ketë më shumë shtrirje. Kolegë nga shkolla shqipe edhe jashtë New Yorkut do të sjellin përvojën dhe studimet e tyre. Në këtë mënyrë, bashkëpunimi ynë zgjerohet dhe të gjithë përfitojmë nga shkëmbimi i experiencave dhe analizave shkencore studimore. Për më shumë detaje besoj do flasim një herë tjetër sepse deri atëhere nxënësit dhe mësuesit tanë do të kenë edhe më shumë veprimtari të cilat do shpalosen e shkëmbehen në takimin tonë të përvitshëm i cili përvec te tjerash ka si qëllim interaktivitetin e edukimit dhe përvetsimit të gjuhës tonë amtare edhe duke komunikuar së bashku si bashkëautorë të rëndësishëm të këtij procesi.
Dialoguan: Marjana Bulku dhe Drita Gjongecaj
Shkurt 2020