Prishtinë, 23 shkurt 2026 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian, do të udhëhiqet nga kjo ministri.
Ky njoftim u bë publik pas takimit të Zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të kësaj ministrie, Glauk Konjufca, me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sørensen, të hënën në Prishtinë.
“Gjatë takimit, z. Konjufca e informoi z. Sørensen se procesi i dialogut tashmë do të jetë nën udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në njoftim.
“Në takim u diskutua momentumi aktual në të cilin ndodhet dialogu, si dhe u shkëmbyen pikëpamje mbi qasjen dhe parimet e nevojshme për të siguruar një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm”, thuhet më tutje në njoftim.
Sipas njoftimit, Konjufca ka theksuar se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e raporteve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane.
“Zëvendëskryeministri Konjufca theksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
(r.m.)