Tiranë, 23 nëntor 2023 – Në Tiranë sot u zhvillua Samiti i Tretë i Diasporës, me pjesëmarrjen e qindra shqiptarëve që jetojnë e punojnë larg vendlindjes së tyre, si dhe të personaliteteve shtetëtore e politike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Ata e ftuan Diasporën që të sjellë në atdhe projekte dhe sipërmarrje për fuqizimin e demokracisë, zhvillimin e ekonomisë e turizmit, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes shqiptarëve.
Samiti i Tretë i Diasporës kishte në qendër të diskutimeve bashkërendimin e veprimtarive në dobi të zhvillimit të përbashkët të shqiptarëve.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se shteti shqiptar po përpiqet ta strukturojë marrëdhënien me Diasporën, për të rritur bashkëpunimin, në mënyrë që shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë të ndihen pjesë e vendit të tyre.
Ndaj sipas tij, qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri.
Kjo do të kthejë Diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri, theksoi ai.
“Diaspora duhet të ketë përfaqësim politik që do t’i japē zë prioriteteve të shqiptarëve jashtë vendit. Të gjithë këto janë procese, që nuk mund të përmbushen sa hap e mbyll sytë, por nuk janë objektiva të paarritshëm dhe mbi të gjitha janë nisma të domosdoshme që ne si shqiptarë të jemi bashkë edhe pse larg”, tha zoti Begaj.
Bashkëpunimi me Diasporën vlerësohet me shumë rëndësi edhe në Kosovë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Diaspora shqiptare, kudo ku ka shkuar, nuk i ka harruar rrënjët e veta dhe e ka mbështetur me të gjitha forcat përpjekjet për liri, demokraci, shtetndërtim dhe zhvillim. Ajo theksoi se diaspora është një potencial shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës.
“Sot përmes remitancave, investimeve, filantropisë dhe shkëmbimit të njohurive, mërgata jonë merr pjesë aktive në përparimin ekonomik, social e kulturor të vendeve tona. Ata nuk janë qytetarë që jetojnë në dhé të huaj, por përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e vendeve tona përmes përvojës dhe ekspertizës së tyre”, tha zonja Osmani.
Oratorët theksuan faktin se shqiptarët jetojnë sot në një shtrirje mjaft të gjerë në botë, ku qindra e mijëra prej tyre janë shndërruar në histori suksesi. Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj, veprimtar nga SHBA-të, tha se Diaspora përpiqet dyfish, si të jetë e suksesshme në vendet ku jeton dhe si të ndihmojë atdheun e vet. Ai theksoi se Diaspora kërkon të drejtën e votës në Shqipëri.
“Ju lutemi, jepjani të drejtën e votës Diasporës se e meriton dhe e ka me të drejtë. Jepjani sot dhe mos e vononi më këtë proces. Merrni të njëjtën ligj, që ka Kosova, dhe le të votojnë shqiptarët e Diasporës në zgjedhjet e ardhshme të Shqipërisë”, tha zoti Gjonaj.
Në Samit u theksua nga disa oratorë se Diaspora është mbrojtëse e identitetit kombëtar, që punon rregullisht për të fuqizuar kombin në shumë fusha.
Kryeministri Edi Rama tha se dekadën e fundit është se shqiptarët kanë arritur të zhvillohen në shumë fusha si në Shqipëri dhe në shtetet ku jetojnë.
“Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, shqiptarët kanë shumë arsye për të qenë të pakënaqur, kanë shumë arsye për të kërkuar shumë më tepër sepse vërtetë ka shumë më tepër për të bërë, por ama, si sot, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë asnjëherë më parë”, tha zoti Rama.
Në tubim shprehën mendimet e tyre politikanë të njohur nga Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva.
Të gjithë folësit në Samit bënë thirrje për bashkëpunim të ngushtë për forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, për ekonomi dhe zhvillim kombëtar.
(Zëri i Amerikës)