“Die Zeit”: Vuçiq mund të “zbutet” vetëm me forcë

“Politikat e Presidentit të Serbisë dëmtojnë Bashkimin Evropian, rajonin dhe vetë serbët. Bashkimi Evropian duhet t’ia pezullojë Serbisë statusin e vendit kandidat dhe t’ia ndërpresin fondet derisa ajo nuk vendos sanskione ndaj Rusisë dhe nuk fillon negociata serioze me Kosovën”, shkruan gazeta gjermane “Die Zeit”.

Autori i komentit, Ulrich Ladurner, shkruan se në prag të vitit të ri u evitua rreziku i shpërthimit të “konfkiktit të armatosur” midis Serbisë e Kosovës, por vetëm përkohësisht.

 “Është vetëm çështje kohe kur tensionet do të shpërthejnë përsëri”, shkruan ai.

This image has an empty alt attribute; its file name is Ulrich-Ladurner.jpg

Ladurner mendon se tensionet midis Kosovës e Serbisë janë pasojë e politikës së gabuar të Brukselit ndaj Serbisë.

“Kur flitet për shkaqet, shpesh zihen në gojë detaje të politikës ballkanike, si targat, dokumentet personale dhe banalitete të tjera. Ky është shpërqendrim, është tymi që e mbulon thelbin. Dhe thelbi është gafa dramatike e BE-së në këtë rajon”, shkruan Ladurner.

“Ka vite që BE-ja ndjek një politikë që mund të përmblidhet kështu: Serbia është vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor. Pa Serbinë nuk mund të ketë stabilitet në rajon. Në qoftë se anëtarësohet në bllok, ajo do t’i tërheqë me forcë edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye synohen marrëdhënie të mira me këtë vend, pavarësisht se kush sundon në Beograd”, shkruan ai.

Ladurner vëren se Brukseli ndjek në mënyrë kryesisht të heshtur “se si Vuçiqi e minon sistematikisht demokracinë e brishtë, e dobëson shoqërinë civile, e nënshtron shtypin, e margjinalizon opozitën dhe, kështu, faktikisht bëhet autokrat”.

“Dhe ç’është më e rëndësishmja: Vuçiq vazhdimisht i fryn zjarrit të konfliktit me Kosovën për të përfituar politikisht prej tij. Kjo është një lojë e rrezikshme e tejdukshme. Kështu ai nuk rrezikon vetëm konflikte të dhunshme, por edhe e bllokon integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruan autori.

“Duke pasur parasysh listën e gjatë të mëkateve (të Vuçiqit) duhet përkujtuar edhe një herë se Serbia është kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa presidenti i këtij shteti në mënyrë të vetë dijshme udhëheq politikë që dëmton BE-në, rajonin si edhe vetë serbët. Kësaj duhet t’i jepet fund një herë e mirë”, thekson Ladurner.

Ai sugjeron që BE-ja të bëjë presion ndaj Vuçiqit, pasi ai “reagon vetëm ndaj presionit”.

“Aleksandar Vuçiq duhet të paguajë çmimin e politikës së tij. Nëse nuk u bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë, nëse nuk ndalon të nxisë konflikt me Kosovën, nëse nuk ulet në tryezën dhe të fillojë negociatat serioze me Kosovën, Serbisë duhet t’i pezullohet statusi i kandidatit për anëtarësim me BE dhe t’i ndërpritet ndihma financiare”, sugjeron Ladurner.

Ai thekson se vetëm një kërcënim serioz i Brukselit do të zbusë Vuçiqin dhe Serbia do të ketë gjasa të nëhet anëtare e BE-së.

(r.m.)