Digjet prona e një zyrtari policor serb në Leposaviq

Prishtinë, 6 nëntor 2022 – Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e hershme të mëngjesit të 6 nëntorit, është djegur një objekt i një zyrtari policor serb në Leposaviq.

Sipas policisë, rasti është duke u hetuar, ashtu sikurse rastet tjera të zjarrvënieve që janë orientuar në javët e fundit ndaj pronave private.

Ky lajm vjen një ditë pas vendimit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për t’u larguar nga institucionet e Kosovës.

Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe, ka thënë më 5 nëntor se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në momentin kur Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrim të makinave dhe të respektojë marrëveshjet e Brukselit.

Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po riregjistrojnë makinat në RKS.

Institucionet e Kosovës i kanë fajësuar “grupet ilegale ekstremiste” për këto incidente.

Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara kanë dënuar djegien apo shkatërrimin e pronave të atyre personave që kanë apo synojnë të riregjistrojnë makinat e tyre me targa ilegale serbe, në RKS.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka konsideruar aktet e tilla “frikacake dhe kriminale”.

(r.m.)