Diplomati evropian: Marrëveshja Kosovë – Serbi pritet të arrihet brenda një viti

Tiranë, 6 dhjetor 2022 – Bashkimi Evropian e ka hartuar një propozim të ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me një afat kohor të qartë të veprimeve. Drafti i propozimit u është dërguar të dyja palëve të hënën.

Kështu ka thënë një diplomat i lartë i BE-së, në margjina të samitit BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë, të martën.

Diplomati që ka folur në kushte anonimiteti ka thënë se Brukseli pret që dy palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për më pak se një vit. Sipas tij, propozimi është një hap i madh, ndonëse ai nuk e përfshin njohjen reciproke.

“Ka shumë gjëra që e bëjnë atë një hap të madh përpara në lidhje me situatën aktuale… Nuk është njohje e plotë…por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve”, ka thënë diplomati i lartë i BE-së, citon Reuters.

“Pasi i dëgjuam të dyja palët, ne e riformuluam propozimin”, ka thënë ai.

“Propozimi e përmban një aneks “me një kalendar të qartë veprimesh – kur dhe si duhet të ndodhin gjërat”, ka shpjeguar ai.

Diplomati ka thënë se Kosova dhe Serbia “duhet të vazhdojnë angazhimin konstruktiv e të fokusohen në progres të pakthyeshëm drejt normalizimit”.

Shefi i politikës së jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka konfirmuar se drafti i ri i propozimit që u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë, është i bazuar në planin e njohur si “franko-gjerman”.

Kosova dhe Serbia, të mbështetura nga BE-ja, në vitin 2013 e kanë nisur një dialog për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura midis tyre, por deri më tani është bërë pak përparim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thanë se mbeten të përkushtuar ndaj dialogut të mbështetur nga BE-ja.

Marrëveshja me Kosovën mbetet një nga parakushtet kryesore për anëtarësimin e Serbisë në BE.

(r.m.)