Diplomati kosovar Anell Bajra do të shërbejë një vit në DASH

Prishtinë, 20 dhjetor 2022 – Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, së bashku me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, e kanë uruar diplomatin e ri Anell Bajra, i cili do të shërbejë një vit të plotë në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH), në Uashington.

“Në vendin e diplomacisë dhe demokracisë, Kosova do të përfaqësohet me një kuadër të ri dhe premtues i cili pa dyshim, nga kjo eksperiencë, do të sjellë përvojat më të mira në institucionet tona”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.

Ministria bën të ditur se z. Bajra është caktuar për shërbim në bazë të marrëveshjes së kësaj ministrie me DASH.

“Kosova do të mbetet aleatja më e ngushtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me një raport të fortë dhe të pakontestueshëm. Thellimi i bashkëpunimit dhe marrëveshjet si kjo, fuqizojnë më tej partneritetin e ngushtë ndërmjet diplomatëve dhe diplomacisë”, thuhet në njoftim.

(r.m.)