Disa gazetarë dhe kameramanë të lënduar nga sulmet në veri të Kosovës

Prishtinë, 16 qershor 2023 – Policia dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thanë se disa punonjës mediesh pësuan lëndime nga sulmet e protestuesve serbë të premten në komunën e Leposaviçit në veri të Kosovës.

Policia tha se bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët po mbulonin zhvillimet pranë komunës së Leposaviçit.

“Disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar trajtim mjekësor”, thuhet në një njoftim të policisë sipas së cilës përveç sulmeve fizike dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve, atyre u janë dëmtuar pajisjet e punës.

Asociacioni i gazetarëve tha se Pleurat Salihut nga arbresh.info i është thyer krahu nga sulmuesit. Kameramani i Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi është sulmuar fizikisht dhe ka pësuar lëndime në kokë dhe në trup si dhe i është thyer kamera. Shoqata tha se lëndime trupore ka pësuar edhe Albin Rrahmani, kameraman i Tëvë1, ndërsa gazetarja e RTV Dukagjinit, Dorentina Thaqi është qëlluar me gurë në kokë.

“Ky është sulmi i 28-të në drejtim të ekipeve të mediave, gjatë tensioneve të fundit në veri të vendit, ndërsa sulmi i katërt vetëm gjatë ditës së sotme në Leposaviç”, thuhet në një njoftim të AGK-së në të cilin kërkohet vënia e autorëve të sulmeve para drejtësisë.

Sulmet u dënuan nga ambasada amerikane në Kosovë e cila ritheksoi thirrjet e bërë edhe në të kaluarën që “mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”.

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë Tomáš Szunyog, i dënoi sulmet duke theksuar se “akte të tilla të tmerrshme dhune janë të papranueshme. Gazetarët duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në një mjedis të sigurt”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi se “sulmet fizike ndaj atyre që raportojnë nga terreni janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen nga të gjitha palët që përndryshe janë të zëshme për situatën”.

(Zëri i Amerikës)