Disa sqarime lidhur me paraqitjen e formularit të kontrollit mjekësor të aplikimit për green card

Çështje të Emigracionit: Nga Kieran Both

Avokati Kieran Both

Nëse po bëni kërkesë për të marrë statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm në SHBA pra për të marrë green card, përdorniformularin përkatës i cili vërteton se nga ana shëndetësore nuk keni asnjë problem që mund t’ju bëhet pengesë për t’u pranuar në Shtetet e Bashkuara. 

Formularin I-693, Report of Medical Examination and Vaccination Record mund ta paraqisni së bashku me formularin e aplikimit për green card, I-485 Application to Register Permanent Residence or Adjust Status. Si rregull, USCIS-i e quan të vlefshëm formularin e plotësuar I-693 për dy vjet duke filluar nga dita kur dokumenti mjekësor në fjalë u firmos nga mjeku i emigracionit. USCIS-i e ka hequr kërkesën që aplikanti të dorëzojë aplikimin përkatës për një përfitim të caktuar nga emigracioni jo më vonë se 60 ditë nga momenti kur mjeku i emigracionit firmos formularin I-693. 

Gjithashtu nuk ju kërkohet që formularin I-693 ta dorëzoni në të njëjtën kohë me formularin I-485. Ndërsa disa aplikantë kanë ndërmend ta marrin formularin e plotësuar I-693 kur të paraqiten për intervistë, për disa nga aplikimet mund të mos jetë e nevojshme dalja në intervistë. USCIS-i vendos rast pas rasti se cilat aplikime mund të përjashtohen nga kërkesa për intervistë. 

Dorëzimi njëkohësisht i Formularit I-485 dhe Formularit I-693 mund të eliminojë nevojën që USCIS-i të bëjë kërkesë për dokumentacion shtesë (RFE) në mënyrë që të marrë prej jush Formularin I-693. Kjo mund të ndihmojë gjithashtu në shmangien e vonesave në gjykimin e çështjes suaj sidomos në ato raste kur USCIS-i vendos që nuk është e nevojshme të intervistoheni. 

Për të siguruar që rezultatet e kontrollit tuaj mjekësor të imigracionit janë ende të vlefshme kur gjykohet aplikimi përkatës që i keni paraqitur emigracionit, duhet të planifikoni kryerjen e këtij kontrolli mjekësor sa më afër që të jetë e mundur me kohën e paraqitjes së kërkesës për ndreqje statusi, të përgjigjes së kërkesës RFE ose të paraqitjes për intervistë (nëse ju kërkohet kjo e fundit).

Siguroheni që keni lënë kohë të mjaftueshme për analiza laboratorike ose analiza mjekësore shtesë siç parashikon udhëzuesi teknik i vënë në dispozicion të mjekëve të emigracionit  nga qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve.   

Mjeku i emigracionit duhet t’ju japë formularin I-693 në një zarf të mbyllur dhe të vulosur për t’ia paraqitur USCIS-it. Mos e pranoni formularin nga mjeku i emigracionit nëse nuk është në një zarf të mbyllur dhe të vulosur. Nëse zarfi nuk është i mbyllur ose është hapur apo, në një mënyrë ose një tjetër, janë bërë ndryshime në të, USCIS-i do t’jua kthejë mbrapsht aplikimin. Mjeku i emigracionit ka për detyrë t’ju japë një kopje të formularit të plotësuar I-693 që ta mbani ju vetë. 

Për të gjetur një mjek emigracioni në zonën ku banoni, vizitoni faqen e internetit të USCIS-it në www.uscis.gov. (Shkruani “Find a doctor” në kutinë e kërkimit “Search our Site“. Faqja “Find a doctor” do t’ju ofrojë udhëzime se si të kërkoni një mjek emigracioni në zonën tuaj. Nëse jeni anëtar ose veteran i forcave të armatosura të SHBA-së ose person në ngarkim të dikujt prej tyre, ose nëse jeni refugjat që kërkon ndreqje statusi, mund të keni të drejtë t’i nënshtroheni një kontrolli mjekësor të imigracionit të kryer nga një mjek emigracioni të cilin nuk e gjeni në listën e mjekëve të emigracionit, por që ka autorizim të posaçëm për të ofruar këtë shërbim.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]