Distria Krasniqi bëhet Kampione e Evropës në xhudo

Zagreb, 25 prill 2024 – Xhudistja kosovare Distria Krasniqi është Kampione e Evropës. Të enjten, në Kampionatin Evropianin që po mbahet në Zagreb, ajo u stolis me medalje të artë në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Distria ishte bartësja e parë e garueseve të kësaj kategorie. Ajo e nisi garën me fitore bindëse ndaj ukrainases Anna Borodina, të cilën e mundi me një “uazari” të shpejtë e pastaj me “ippon” me mbërthim.

Në luftën e dytë ajo shënoi fitore edhe më bindëse. Kroaten Ana Viktorija Puljiz e eleminoi për më pak se një minutë, me mbajtje.

Në luftën gjysmëfinale, Distria e mundi spanjollen Ariane Toro Soler, të cilës iu revanshua për një disfatë të mëhershme. Ajo shkëlqeu edhe ndaj saj, E pati vazhdimisht iniciativën dhe kërkoi hedhjen. Ajo e realizoi edhe një “uazari”. Dueli përfundoi kur Soler e mori dënimin e tretë.

Në luftën finale Distria e mundi italianen Odette Giuffrida, nga e cila nuk u rrezikua asnjëherë gjatë duelit. Distria e fitoi këtë duel me “uazari” në kohën shtesë.

Ky është titulli i dytë i Kampiones së Evropës për Distria Krasniqin. Ajo i ka fituar edhe dy medalje të argjendta dhe dy medalje të bronzta në garat evropiane.

(r.m.)

Comment

*