Vajzat Loreta, Julika, Rafaela Prifti
Ditën e Babait mësuam ta festojmë kur erdhëm në Amerikë. Nuk e njihnim këtë ditë në atdhe dhe madje as në Europë. Çuditërisht, festa e 8 marsit në Shqipëri nuk na kishte bërë të pyesnim shumë përse nuk kishte korrespondencë mashkullore. Megjithatë ne ishim edukuar me një ideal barazie në familje ngaqë ishim rritur pa parë ndarje pune midis gjinive. Fjala vjen babai kishte talent edhe në kuzhinë por kjo nuk konsiderohej “punë femrash”. Ndërkohë që secila nga ne, tri vajzat mund të priste drutë në oborr për sobën tonë me grykë të ngushtë si edhe të zbriste në bodrumin e pallatit për të ngjitur lart një krah me dru. Përveç lojërave me emra luftarakë si topa luftash etj dhe të tjera në fushë beteja të imagjinuara me kalorës të shpejtë e kuaj, ne ishim aktive në sporte si futbolli dhe nuk ndiheshim aspak më pak se djemtë e lagjes sonë.
Megjithëse krejt e re për ne, Festa e Babait na hyri në zemër menjëherë. E diela e tretë e muajit qershor me mot të ngrohtë na ftonte të dilnim në piknik festiv në parqe, restorante, shfaqje në natyrë apo në auditore për të parë Rean në ansamblin e tipi-tapit në Greenwich Village. Ushqimet kishin prioritet e tyre sepse babai ishte i njohur për oreksin e mirë, por ne kishim dëshirë edhe t’a befasonim me dhurata të cilat i zgjidhnim me tematikë të veçantë. Në fillim, këmisha e kravata me flamur shqiptar apo me ngjyrat e flamurit, pena të bukura të bëra me porosi, alfabetin me titujt e tregimeve të tij, bluza të stampuara, çorape me dizajno e vizatime nga udhëtimet e ndryshme, vera të posaçme ishin disa nga zgjedhjet e preferuara. Pastaj, filxhanë kafeje me personazhe nga librat e përkthyer nga babai si Princi i Vogël i Antuan Ekzyperi. Një vit gjetëm një porcelan me maçokun e famshëm në kujtim të parathënies së tij për librin Liza në Botën e Çudirave. Disa herë zgjidhnim karakteret e përrallave të tij të paraqitura në pjata qeramike si Luani tek përralla Doktor Ariu e kështu me radhë.
Krijimet e tij na pëlqenin fillimisht si histori pastaj edhe për moralin e fabulës. Për shembull, te kjo përrallë mbreti i xhunglës kishte këputur mish, një dukuri fare e rëndomtë, por mjekët rreth tij duke menduar se luani duhet të kishte një komplikim të rangut të tij elitar vinin rrotull pa mundur ta ndihmonin pacientin. Një doktor pa grada dhe tituj si Ariu e shëroi Luanin, mbretin e kafshëve, duke ju dhënë një mësim lexuesve të vegjël e të mëdhenj. Babai thoshte se përrallat janë shumë të vështira për tu shkruar sepse lexohen nga fëmijët por duhet të pëlqehen e shijohen nga të gjithë. Me kohë e kishim kuptuar se ai pyetjeve tona të shumta fëminore u përgjigjej me mjeshtëri të paparë në përralla e rrëfime të arritura artistikisht.
Përzgjedhja e një kartoline speciale apo humoristike kishte efekt në festimin tonë të përbashkët me babanë. Edhe kartolinat me muzikë e melodi të njohura e të pëlqyera prej tij ishin të preferuara sepse sillnin kujtime nga vizita dhe shëtitje turistike nëpër botë. Pjesa më e bukur e ditës ishte hapja e dhuratave dhe leximi i kartolinave, të cilat ishin produkte që nuk gjendeshin në treg sepse ishin krijuar nga vajzat e tij. Ne prisnim reagimin dhe komentet e tij, shprehjen e fytyrës dhe sidomos buzagazin. Leximi i kartolinave ishte pika kulminante, jo vetëm se aty kishim shprehur ndjenjat tona për të, por më tepër për të dëgjuar interpretimin e tij me diksion mjeshtëror. Ai dinte t’i vlerësonte të gjitha me mençuri filozofike por edhe me modesti e humor.
Urimi këtë vit është i veçantë sepse për herë të parë nuk do ta dëgjojmë të interpretuar nga zëri i babait tonë të dashur por ndihemi me fat që do lexohet nga ndjekësit e veprave të tij që gjatë këtyre ditëve kanë shprehur me aq bukuri dhe emocione vlerësimin dhe adhurimin për babanë tonë dhe për shkrimtarin Naum Prifti!