DITA E MËSUESIT DHE SHKOLLËS LAIKE SHQIPTARE

Historiku i shkollës shqipe, është historikun i së kaluarës së  lavdishme të popullit shqiptarë, është rezistenca e shpëtimit nga mallkimi dhe fanitja e gjuhës, librit dhe shkollës shqipe.

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia

7 Marsi, është Dita e Mësuesit Shqiptarë, gjegjësisht dita e shkollës laike kombëtare shqiptare. Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe, që për arsye e rrethana të njohura, shumë vjet e dekada, nuk është festua në gjithë hapësirat shqiptare, apo është festuar ndaras. Sepse në trevat e okupuara etnike shqiptare, ka qenë e ndaluar dhe e denuar të festohet.

Në shtetin zyrtar, në Shqipërinë londineze, Dita e Mësuesit festohet e kremtohet vetëm nga 1960, ndërsa pas vitit 1968 kjo festë kombëtare, ilegalisht ose gjysmë zyrtarisht u mundësua të kremtohej e festohej edhe në Kosovë e treva tjera etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë e atëhershme. Ndërsa tash sa vite, pas 17 shkurtit 2008, Pavarësisë së Republikës së Kosovës, 7 Marsi, Dita e Mësuesit dhe e shkollës laike shqipe, është vetmja festë e përbashkët kombëtare për të gjitha trevat etnike shqiptare.

Dita e Mësuesit, është festë e mësuesit, nxënësit dhe gjithë punëtorëve arsimor, të çdo mjedisi e niveli të shkollës shqipe. Andaj, kjo festë, si edhe festat e ngjarjet të tjera arsimore e kombëtare, duke veçuar Kongresin  historike e kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipes në Manastir 1908, Kongresin e Elbasanit, dhe atë për Njësimi i Gjuhës Letrare Kombëtare Shqipe në Tiranë 1972. Pa harruar rëndësinë e hapjes së Shkollës Normale në  Elbasan 1909.

Në një të ardhme të afërt Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovë edhe, Ministria e Arsimit në Maqedoninë Veriore, doemos, pas  Abetarës së përbashkët, për hir të integrimit të shkollës kombëtare shqiptare, duhet të kordinojnë njësimin e planprogrameve, Kurikulave mësimore të të gjitha niveleve, klasave e lëndëve të shkollës shqipe, si dhe teksteve e mjeteve mësimore e çdo të mbërrirë tjetër shpirtërore, materiale  arsimore e kombëtare, dhe Dita e Mesuesit të njësohet, festohet e kremtohet për datë e festë  gjithëkombëtare shqiptare. Kështu duhet të jetë e integruar edhe shkolla dhe sistemi i reformuar shkollor gjithëkombëtar shqiptar.

Shkolla shqipe, pavarësisht gjendjes dhe pozitës aktuale politike e shtetërore, tash e ndarë në njësi shtetërore të ndryshme, paralelisht me reformën arsimore të kryer shkolla shqipe paraprakisht kërkon edhe integrimin kombëtar, dhe pastaj, si një e vetme dhe e pandarë të integrohet në sistemin e reformave arsimore demokratike ndërkombëtare. Sepse, shkolla e sistemi arsimor përgjithësisht është veprimtari praktike shoqërore që fisnikëron, këtë shkolla shqipe historikisht e ka dëshmuar që nga Universiteti i Durrësit 1380 e në vazhdim ecjet e përshtatjet me kohën dhe ngjarjet. Shkolla laike shqipe e mëvonshme punoi e veproi në hapësirën shqiptare, ndër të tjera, njihen Shkolla e Stubllës 1584, shkolla e Janjevës 1665 Akademia e Re e Voskopojës 1750 e shumë të tjera, para e mbas tyre. Por, Mësojëtoria shqipe e Korçës ose, Shkolla e parë laike shqipe, e cila njihet për nismëtare e shkollës laike dhe të tjerat pas saj, ku dhe kur, mësimin e shqipes e filluan dhe e zhvilluan mësuesit e mëdhenj patriotë shqiptar.

Në shkollën e Korçës mësuesit e saj zhvillonin këto lëndë mësimore: Shkrim, Këndim, Gjuhë shqipe, Gramatikë Shqipe, Histori e Shqipërisë, Gjeografi, Aritmetikë, Muzikë, Këngë etj. Nxënësit e saj ishin nga gjitha besimet fetare dhe mjediset e nivelet shqiptare. Mësuesit e saj ishin atdhetarët  e Rilindjes  sonë Kombëtare, Pandeli Sotiri që ishte edhe drejtori i parë i saj, njëherit  mësimdhënësi i parë i gjuhës shqipe në ketë shkollë, Sotiri ishte mësues i popullit, nxënës i Koto Hoxhit, i vrarë në Stamboll nga armiqtë e çështjes shqiptare. Koto Hoxhi veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare, mësues në shkollën greke, që fshehurazi jepte edhe mësimet e shqipës në shkollën e Gjirokastrës. Mësimdhënësit tjerë në shkollën e Korçës ishin edhe, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçe, Thoma Avrami, Balil Tahiri etj.  

Petor Nini Luarasi, një nga figurat  kryesore të kohës, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, publicist dhe pegadog, Ai mëtoi mësimin e gjuhës shqipe në fshatra të ndryshëm të Shqipërisë, hapi shkollën e parë shqipe në Ersekë dhe në krahinën e Kolonjës. Shkolla e Korçës punoi e veproi 15 vjet. Kjo shkollë në fillim të shek. 20. kishte 6 klasë, kur Turqia e mbylli më 1902 dhe u rihap më 1908. Këtë shkollë, që kur u hap më 1887, si edhe shkollat të tjera në vazhdimësi, i ndihmonin veprimtarët atdhetarë, shoqatat dhe shoqëritë atdhetare shqiptare dhe kishin ndikim në organizim të procesit mësimor, në sigurimin e mësuesve, teksteve mësimore dhe mjete materiale.

Një nga nisimtarët për hapjen e shkollës shqipe është edhe Parashqevi Qiriazi, atdhetare e  veprimtare e shquar e cila punoi në arsimin e gruas shqiptare. Ajo ka botuar  librin e saj “Abetare për shkollat e para” dhe ka vend meritor në historikun e shkollës shqipe, është e para grua mësuese dhe autore e teksteve shkollore. Për ndihme ne hapjen, mbajtjen dhe shkrimin e teksteve mësimore veçohen vëllezërit Naim e Samiu Frashëri, Jani Vreto, Kristoforidhi e të tjerë nga Shoqëria Shqiptare e Stambollit.

Këta arsimdashës shkollës së Korçës i ndihmuan edhe me mjete financiare. Në krah të kësaj veprimtarie arsimore u angazhuan edhe atdhetarët e shoqërive tjera shqiptare, si ajo e Manastirit, Bukureshtit dhe Korçës. Korçarët janë të njohur për ndihmën materiale që i dhënë shkollës se tyre, Diamandi Terpo lëshoi shtëpinë për shkollën, i cili pas vdekjes kësaj shkolle i dhuroi gjithë pasurinë e fituar në Bukuresht.

Pas shkollës së Korçës u hapen shkolla edhe në Pogradec 1887, Elbasan, Treskë, Leskovik, Kolonjë, Ohër 1887, Prizren 1889 etj. Ne fund shekullin 19-të, në Korçë më 1891  për herë të parë u hap edhe shkolla e  vajzave. Më 1892 u hap shkolla në Luaras, Selenicë e katër të tjera në Gostivishtë, Rahovë, Vodicë dhe Treskë. Më 1900 u hap shkolla në Zadrimë, Durrës, Tirane, Vlorë e të tjera. Që nga fillimi i shekulli 20 shkolla shqipe u hapen edhe në Kosovë, si në Prizren, Pejë, Gjilan, Stubëll, Gjakovë, Pozhoran, Mitrovicë, Zym e vende të tjera.

Shumë nga mësuesit patriotë në kohëra e rrethana të ndryshme ranë dëshmorë nga armiqtë e shqiptarëve dhe shkollës shqipe, të cilët mësuesit dhe gjuhën shqipe e kishin halë në sy. Vrasjet prapa shpine martirizuan mësuesit tanë kombëtar Petro Nini Luarasin. Pandeli Sotirin, Papa Kristo Negovanin, Naum Veqilhaxhit, At Shtjefen Gjeçovin, e në vazhdimësi të kohës deri në ditët tona, kur okupuesi serb  vrau  mësuesin Halit Gecit 26 nëntor 1998 në Llaushë, dhe më 28 nëntor 1998, ditën e shënuar të varrimit të mësuesit Halit Geci, nga motivohet përshtatshmëria e paraqitjes më të arsyeshme publike e UÇK-së. Në vazhdimësi të rezistencës ushtarake për shkollën shqipe e liri të Kosovës, ranë  dëshmorë e u martirizuan shumë mësues, student e nxënës të shkollës shqipe. Këto vrasje serbe synonin që te shqiptarët ta vrisnin ndjenjën e dashurisë ndaj popullit e atdheut. Ta vrisnin dashurinë shqiptare për shkollën, gjuhën dhe librin shqip. Përkundrazi, në vazhdimësi të rrjedhave të kohës e ngjarjeve, veprimet e tilla shqiptare, këtë ndjenjë vetëm sa e rrisnin, e forconin  dhe e zgjeronin kah mëvetësia e shkollës, ndarja fizike e shpirtërore e shqiptare, nga dhuna administrative shtetërore serbe. Kjo aspiratë kulmoi Më 17 shkurt 2008, erdhi dita e deshiruar, kur definitivisht Republika e Kosovës shpalli pavarësinë e cila shpejt u njoh nga më shumë se njëqind shtete të tjera. Republika e Kosovës ka krijuar identitetin e shtetësisë së saj, që në vazhdimësi po integrohet në nivelin politik, shtetëror e kombëtar në qarqet e asociacioneve ndërkombëtare.

TESTAMENTI MESUESIT

Mësuesi Halit Geci, i vrarë nga barbaia sërbe në Llaushë, më 1998.

Para tytave vrastare

Para barbarisë mesjetare

Me fytyrë e gjymtyrë

Me qenje

E me shpirt

Por,

Edhe me gojë

E tha!

Unë jam

Mësuesi Halit…!

-Vazhdoi testamnetin

Ju e vrisni

Mësuesin Halit!

Ama…!

Nuk vrisni

Mësuesin  shqiptarë…!

Pas meje

Këtë rrugë

Ecin

Mija mësues

Misionarë.

Dhjetra mija

Nxënës e studentë

Shqiptarë !

Këtu ju them…!

Kurrë nuk vritet

Mësuesi shqiptar…!

Kurrë nuk ndalet

Shkolla shqipe…!

Me shekuj

Jeton e do jetojë.

Këtu ishim

Këtu jemi

E do të jemi

Sa të ketë jetë

Në këtë planetë

Do të ketë

Nxënës e shkollë

Gjuhë e libra Shqipe

Do të ketë mësues

Misionar shqiptarë

Ushtarë çlirimtarë

Do të ketë popull

Shtet e komb

 Shqiptar…!

Autori është veteran i arsimit.

Gjithë nxënësve, studentëve, mësimdhënësve të të gjitha niveleve, stafit drejtues e administrativ dhe shërbimit teknik të sistemit arsimor shqiptar. Urime !