Nga Avokati Kieran Both

Më 4 korrik, festojmë ditëlindjen e 250-të vendit tonë dhe ditën kur Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë në 1776.
4 Korriku – i njohur si Dita e Pavarësisë – ka qenë festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941, por tradita e festimeve të Ditës së Pavarësisë daton që nga shekulli i 18-të dhe Revolucioni Amerikan.
Lufta Revolucionare shpërtheu në prill 1775. Gjatë vitit 1776 armiqësia kundër Britanisë së madhe erdhi duke u rritur dhe kolonistët ishin për pavarësi. Pamfleti “Common Sense”, botuar nga Thomas Paine në fillim të vitit 1776, ndezi edhe më shumë ndjenjat revolucionare.
Më 7 qershor, Kongresi Kontinental emëroi një komitet prej pesë anëtarësh, të përbërë nga Thomas Jefferson nga Virxhinia, John Adams nga Masaçusets, Roger Sherman nga Konektikati, Benjamin Franklin nga Pensilvania dhe Robert R. Livingston nga Nju Jorku, për të hartuar një deklaratë zyrtare që justifikonte shkëputjen nga Britania e Madhe
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Atë ditë, John Adams i shkroi gruas së tij Abigeil se 2 korriku “do të festohet brez pas brezi, si një përvjetor i madh dhe se festimi duhet të ketë Paradë … lojra, sporte, këmbana, zjarre dhe ndriçim nga një anë e këtij kontinenti në tjetrën”. Dy ditë më vonë, më 4 korrik 1776, delegatët nga 13 kolonitë miratuan Deklaratën e Pavarësisë, dokument historik i hartuar nga Thomas Jefferson. Në Deklaratë theksi u vu në parimet kryesore të lirisë, barazisë, përpjekjeve për të arritur lumturinë dhe qeverisjes me pëlqimin e të qeverisurve.
Prej 1776 deri në ditët e sotme, 4 korriku është festuar si lindja e pavarësisë amerikane. Festimet kishin koncerte, fishekzjarre, parada të shtëna me top, etj. Filadelfia festoi përvjetorin e parë të pavarësisë më 4 korrik 1777, ndërsa Kongresi ishte ende i zënë me luftën në vazhdim.
Më 1778, për të festuar përvjetorin e pavarësisë George Washingtoni u dha të gjithë ushtarëve të tij racione dyfish rumi, dhe në 1781, disa muaj përpara fitores në Yorktaun, Masaçusets u bë shteti i parë që e shpalli 4 korrikun festë zyrtare shtetërore. Pas Luftës Revolucionare, amerikanët vazhduan të përkujtonin Ditën e Pavarësisë çdo vit, me festime që i lejonin krerët politikë t’u adresoheshin qytetarëve dhe të krijonin një ndjenjë uniteti. Tradita e festës patriotike u përhap edhe më shume pas Luftës së 1812, në të cilën Shtetet e Bashkuara u përballën përsëri me Britaninë e Madhe. Në vitin 1870, Kongresi i SHBA e shpalli 4 korrikun festë federale; në vitin 1941, u bë ditë feste e paguar për të gjithë punonjësit federalë. Me Kalimin e kohës, rëndësia politike e festës do të binte, por Dita e Pavarësisë mbeti një festë e rëndësishme kombëtare dhe një simbol i patriotizmit.
Që nga ajo kohë, 4 korriku është kthyer në ditë aktivitetesh dhe festë familjare, kur shpesh hidhen fishekzjarre dhe bëhet barbekju në natyrë. Simboli më i zakonshëm i festës është flamuri amerikan, i shoqëruar me himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “The Star-Spangled Banner”.
Parku Historik Kombëtar “Abraham Lincoln Birthplace” do të organizojë një ceremoni të veçantë natyralizimi më 4 korrik 2026, si pjesë e veprimtarive përkujtimore të organizuara nga ky park për Freedom250 (aktivitetet festive mbarëkombëtare për 250-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë). “Organizimi i një ceremonie natyralizimi në Ditën e Pavarësisë në vendlindjen e Abraham Lincoln-it është një mënyrë domethënëse për të festuar idealet e lirisë, demokracisë dhe nënshtetësisë që bashkojnë kombin tonë,” tha superintendenti Joshua Manley. “Si pjesë e veprimtarive përkujtimore Freedom250, mi krenari u urojmë mirëseardhjen qytetarëve të rinj të Amerikës dhe ftojmë publikun të ndajë me ne këtë ngjarje të veçantë.”
Në Ditën e Pavarësisë, ndërkohë që SHBA-ja feston ditëlindjen e saj, le të reflektojmë të gjithë se përse e festojmë 4 korrikun dhe le të vazhdojmë të punojmë për liri dhe drejtësi për të gjithë.
Faleminderit që lexoni rubrikën tonë. Gëzuar 4 Korrikun 2026 – Festën e Pavarësisë së Amerikës!
Komentet dhe pyetjet tuaja mund t’i drejtoni përmes telefonit ose t’i dërgoni me e-mail në adresën elektronike: info@bothlaw.com