Dita e Pavarësisë, një simbol i patriotizmit

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Më 4 korrik, festohet ditëlindja e 249-të e Amerikës dhe dita kur Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë në vitin 1776. 4 Korriku – që njihet gjithashtu si Dita e Pavarësisë – ka qenë festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941, por tradita e festimeve të Ditës së Pavarësisë zë fill në shekullin e 18-të me Revolucionin Amerikan. 

Lufta Revolucionare shpërtheu në prill 1775. Gjatë vitit 1776 armiqësia kundër Britanisë së madhe erdhi duke u rritur dhe kolonistët ishin për pavarësi. Pamfleti “Common Sense“, botuar nga Thomas Paine në fillim të vitit 1776, ndezi edhe më shumë ndjenjat revolucionare. Më 7 qershor, Kongresi Kontinental emëroi një komitet prej 5 vetësh, të përbërë prej Thomas Jefferson nga Virginia, John Adams nga Massachusetts, Roger Sherman nga Connecticut, Benjamin Franklin nga Pennsylvania dhe Robert R. Livingston nga New York-u, për të hartuar një deklaratë zyrtare që justifikonte  shkëputjen nga Britania e Madhe.

Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Atë ditë, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail se 2 korriku “do të festohet për breza me radhë, si një përvjetor i madh dhe se festimi duhet të ketë Paradë … lojra, sporte, këmbana, zjarre dhe ndriçim nga një anë e këtij kontinenti në tjetrën”. Dy ditë më vonë, më 4 korrik 1776, delegatët nga 13 kolonitë miratuan Deklaratën e Pavarësisë,  dokument historik i hartuar nga Thomas Jefferson.

Prej vitit 1776 deri në ditët e sotme, 4 korriku është festuar si lindja e pavarësisë amerikane. Me t’u shpallur festë, nisën menjëherë festimet me koncerte, fishekzjarre, parada me të shtëna me top, etj. të cilat zakonisht shoqëronin leximet në publik të Deklaratës së Pavarësisë. Philadelphia festoi përvjetorin e parë të pavarësisë më 4 korrik 1777, në një kohë kur Kongresi ishte ende i zënë me luftën që vazhdonte.

Më 1778, për të festuar përvjetorin e pavarësisë George Washington u dha të gjithë ushtarëve të tij racion dyfish rumi, dhe në 1781, disa muaj përpara fitores në Yorktown, Massachusetts u bë shteti i parë që e shpalli 4 korrikun festë zyrtare shtetërore. Pas Luftës Revolucionare, amerikanët vazhduan të përkujtonin Ditën e Pavarësisë çdo vit, me festime që u jepnin mundësinë krerëve politikë t’u drejtoheshin qytetarëve dhe të krijonin një ndjenjë uniteti. Tradita e festës patriotike u bë edhe më e përhapur pas Luftës së 1812, në të cilën Shtetet e Bashkuara u përballën përsëri me Britaninë e Madhe. Në vitin 1870, Kongresi i SHBA e bëri 4 korrikun festë federale; në vitin 1941, u bë ditë feste e paguar për të gjithë punonjësit federalë.

Me kalimin e viteve, rëndësia politike e festës do të binte, por Dita e Pavarësisë mbeti një festë e rëndësishme kombëtare dhe një simbol i patriotizmit. 

4 korriku që nga ajo kohë është kthyer në një festë me aktivitete argëtuese dhe një rast për t’u mbledhur dhe festuar me familjen, me fishekzjarre dhe barbekju në natyrë. Simboli më i zakonshëm i festës është flamuri amerikan ndërkohë që luhet himni kombëtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa SHBA feston ditëlindjen e saj, le të reflektojmë të gjithë se përse e festojmë 4 korrikun si dhe të vazhdojmë të punojmë për liri dhe drejtësi për të gjithë.

Faleminderit që ndiqni rubrikën tonë. Gëzuar 4 korrikun, 2025!

Ju ftojmë të dërgoni komentet dhe të bëni pyetje me telefon ose në adresën info@bothlaw.com

Comment

*