Nga Avokati Kieran Both
Më 4 korrik, festojmë ditëlindjen e 248-të të vendit tonë dhe ditën kur Kongresi Kontinental miratoi Deklaratën e Pavarësisë në 1776.
4 korriku mbetet një ditë e veçantë për shumë emigrantë në të gjithë vendin. Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) do të mbajë ceremoni natyralizimi në të gjithë vendin. Katër korriku shënon lindjen e vendit tonë, kurse për ata që natyralizohen “lindjen” e një kapitulli të ri si qytetarë amerikanë. Këta anëtarë të rinj të komunitetit tonë do ta bëjnë edhe më të larmishme strukturën e kombit tonë dhe do të kenë mundësi të gëzojnë të drejtat, privilegjet dhe përgjegjësitë që vijnë me nënshtetësinë amerikane. Këtu përfshihet dhe e drejta për të votuar dhe për të ndryshuar drejtimin që do të marrë ky vend.
Këtë vit, SHBA-ja në festën e Ditës së Pavarësisë do të mirëpresë afërsisht 11,000 qytetarë të rinj në më shumë se 195 ceremoni natyralizimi që do të mbahen në periudhën mes 28 qershorit dhe 5 korrikut. Këto ceremoni dëshmojnë përkushtimin e qeverisë sonë për të mirëpritur emigrantët dhe për të promovuar përfitimet që nënshtetësia amerikane u sjell të gjithë atyre që kualifikohen ta marrin. Në vitin fiskal 2023, USCIS-i mirëpriti 878,500 qytetarë të rinj amerikanë. Deri më tani në vitin fiskal 2024, USCIS-i ka mirëpritur 589,400 qytetarë të rinj dhe ka bërë përparim të ndjeshëm në zvogëlimin e radhëve të pritjes për t’u natyralizuar.
Aktivitetet e këtij viti me rastin e Ditës së Pavarësisë do të përfshijnë ceremoni të veçanta natyralizimi në të gjithë vendin, përfshirë edhe ato në kryeqytetin e vendit tonë. Më 4 korrik, Zëvendës Ndihmësi i Presidentit Blas Nuñez-Neto do të marrë pjesë në një ceremoni në Mount Vernon-in e George Washington-it. Ceremonitë të tjera të Ditës së Pavarësisë do të mbahen në të gjithë vendin, si në Battleship New Jersey, Gateway Arch National Park në Missouri, dhe Fort Clatsop, Lewis & Clark National Historic Park, në Oregon.
Të bëhesh qytetar i natyralizuar është sigurisht një arritje që ia vlen të festohet. Aplikantët për nënshtetësi duhet të kalojnë një test për të demonstruar njohuritë e tyre për historinë e Amerikës. Provimi vetë nuk është i lehtë dhe përmban pyetje për Ditën e Pavarësisë. Një nga 100 pyetjet e mundshme që u bëhen qytetarëve të ardhshëm është “Çfarë solli Deklarata e Pavarësisë?” Si dhe pyetje të tjera që kanë të bëjnë me rolet e shumta të qeverisë federale, pozicionet e politikëbërësve aktualë dhe veçoritë e Kushtetutës së SHBA-së. Aplikantët gjithashtu duhet të tregojnë që janë në gjendje të lexojnë, të shkruajnë dhe të flasin anglisht.
Katër korriku – i njohur gjithashtu si Dita e Pavarësisë ose 4 Korriku – është bërë festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941, por tradita e festimeve të Ditës së Pavarësisë zë fill që në shekullin e 18-të me Revolucionin Amerikan.
Lufta Revolucionare shpërtheu në prill 1775. Gjatë vitit 177, gjithnjë e më shumë kolonistë u bënë në favor të pavarësisë dhe armiqësia kundër Britanisë së madhe erdhi duke u rritur kjo falë dhe përhapjes së ndjenjave revolucionare si ato të shprehura në pamfletin “Common Sense” të botuar nga Thomas Paine në fillim të vitit 1776. Më 7 qershor, Kongresi Kontinental caktoi një komitet prej 5 vetësh, të përbërë prej Thomas Jefferson-it nga Virginia, John Adams-it nga Massachusetts, Roger Sherman-it nga Connecticut, Benjamin Franklin-it nga Pennsylvania dhe Robert R. Livingston-it nga New York, për të hartuar një deklaratë zyrtare që justifikonte shkëputjen nga Britania e Madhe.
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Atë ditë, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail se 2 korriku “do të festohet brez pas brezi, si një përvjetor i madh dhe se festimi duhet të ketë “Paradë … lojra, sporte, këmbana, të shtëna me armë, flakadanë dhe drita nga një anë e këtij kontinenti në tjetrën”. Dy ditë më vonë, më 4 korrik 1776, delegatët nga 13 kolonitë miratuan Deklaratën e Pavarësisë, dokument historik i hartuar nga Thomas Jefferson.
Prej 1776 deri në ditët e sotme, 4 korriku është festuar si dita e lindjes së pavarësisë amerikane. Festimet, përfshijnë koncerte, fishekzjarre, parada, të shtëna me top, etj. Philadelphia festoi përvjetorin e parë të pavarësisë më 4 korrik, 1777, ndërsa Kongresi ishte ende i zënë me luftën që vazhdonte.
Më 1778, për të festuar përvjetorin e pavarësisë George Washington-i u dyfishoi racionin e rumit të gjithë ushtarëve të tij, kurse në 1781, disa muaj përpara fitores në Yorktown, shteti i Massachusetts-it u bë i pari që e shpalli 4 korrikun festë zyrtare shtetërore. Pas Luftës Revolucionare, amerikanët vazhduan ta përkujtonin Ditën e Pavarësisë çdo vit, me festime të cilat i jepnin mundësinë krerëve politikë t’u drejtoheshin qytetarëve dhe të krijonin një ndjenjë uniteti.
Tradita e festës patriotike u përhap edhe më shumë pas Luftës së vitit 1812, në të cilën Shtetet e Bashkuara u përballën përsëri me Britaninë e Madhe. Në vitin 1870, Kongresi i SHBA-së e shpalli 4 korrikun festë federale; në vitin 1941, kjo ditë u kthye në ditë feste të paguar për të gjithë punonjësit federalë. Me kalimin e viteve, rëndësia politike e festës do të binte, por Dita e Pavarësisë mbeti një festë e rëndësishme kombëtare dhe një simbol i patriotizmit. Që nga ajo kohë, 4 korriku festohet me një numër të madh aktivitetesh dhe është bërë shkas për grumbullime familjare, që shpesh përfshijnë fishekzjarre dhe barbecues në vende të hapura. Simboli më i zakonshëm i festës është flamuri amerikan, i shoqëruar me himnin kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës “The Star-Spangled Banner”.
Në Ditën e Pavarësisë, kur SHBA-ja feston ditëlindjen e saj, le të reflektojmë së bashku se përse e festojmë 4 korrikun dhe të vazhdojmë të punojmë për liri dhe drejtësi për të gjithë.
Ju falemnderojmë që lexoni rubrikën tonë. Gëzuar festën e 4 korrikut, 2024!
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]