DITA E SHENJTË E FLAMURIT, DO TË KUJTOHET PËRHERË ME DASHURI E GËZIM NGA POPULLI SHQIPËTAR

Nga Eduard M. Dilo

Të gjithë Shqiptareve sot u qesh e u shndrit fytyra në këtë ditë Ëngjëll të mbarë kombit tonë!  

Është Dita e Shenjtë 28- Nëndori, që nuk na kujton vetëm Shpalljen e Pavarësisë nga robëria 500-t vjeçare e Turqisë më 1912, por gjithashtu na kujton ngritjen e flamurit dhe nga Gjergji ynë i madh, Skënderbeu legjendar në Krujën e bekuar, më 28 Nëntorin e vitit 1443.

E s’kemi si të mos krenohemi ne për këtë ditë aq të bukur, aq të këndëshme, këtë ditë diellore e kuptim-plotë, ditë simbol kjo që na kujton gjithë martirët e kombit, që i falën gjënë më të shtrenjtë atdheut: jetën e tyre!

Ësht ai gjak që ka vaditur ndër shekuj tokën tonë arbënore, për ta mbajtur të kristaltë, të bukur ashtu siç na i fali Zoti. 

Është gjaku i atyre martirëve të shumtë kombëtarë që ndër shekuj do të ngelet pishtar drite për brezat që vinë .

E kemi të shenjtë flamurin, e kemi të bukur e të veçantë me shkabën dykrenore, që ësht e lindur për të jetuar vetëm e lirë.

Ndër vite e shekuj kjo ditë do të kujtohet me dashuri e madhështi, si dita simbolike e bashkimit, e dashurisë, e krenarisë që kurrë s’na ka munguar!

Trimat shqipëtarë, autoktonë sa vetë njerëzimi në trojet e tyre, të bashkuar, të gjithë një zë, një trup, një mendje firmosën nën udhëheqjen e diplomatit të shquar, burrit të urtë, largpamës e të mirë ISMAIL BEJ QEMAL VLORA, aktin final të shpalljes së mëvehtësisë, të shkëputjes përfundimtare nga Turqia. 

Kemi në dorë një fjalim të zjarrtë një  “PERLË TE GOJTARISË SHQIPËTARE” të Atdhetarit ILIA DILO SHEPERI, mbajtur më 1920, para popullit të Gjinokastrës, që ka vlera historike të përjetëshme për përmbajten e tij:

DITA E FLAMURIT

              -Nga ILIA DILO SHEPERI

Shqipëria divine, Dheu klasik i trimërisë, kremton sot një nga më të shenjtat ditë të historisë së saj kombëtare: Ditën e Rilindjes e të pagëzimit në jetën e re të Lirisë!

Ditën e vënies mbi krye të kurorës së Indipendencës! 

Pas pesëqind vjet jete t’ashpërt të robërisë dhe në një kohë tragjike, kur arushet e Ballkanit u vërsulën t’a shuajnë pa mëshirë 

gjallërine e kombit shqiptar, në orizontin e Shqipërisë ndriti YIli i Mëngjezit, mbi Kathedralin e Vlorës shkrepëtiti Diell’ i Lirisë! 

U ngreh Flamuri madhështor i Skënderbeut dhe Perëndia e Lirisë së Kombeve dekretoi shpëtimin e Shqipërisë! 

Ajo e drejtë e shenjtë q’u a ka falur natyra kombeve të botës ju njojt edhe kombit t’onë që ruan karakterin dhe traditat e Illirëve, ju dha edhe poullit t’onë heroik që ka vaditur me gjak gjithë Sinisinë Ballkanike dhe,

së fundi, për t’u shpëtuar dyndjeve të valëve të barbarëve, gjatë shekujve, ka qënë shtërnguar të lërë Alltarin e Atdheut të e vet dhe të kapercejë male e dete dhe të perhapet nëpër gremina të huaja.

Në këtë vend legjendar, që ësht’ shkretuar dendur nga katalkizmat e luftrave të parreshtura dhe mbi gërmadhat 70 qyteteve të bukura bërë pajë e zjarrit legjoneve romane, vajtojnë zogjtë sot e kësaj ditë!

Të tëra këto ngjarje, të gjitha këto tragjedira kanë vleftën e kujtimit të naltë, të heroizmës shqiptare. 

Dëshmojnë therorësitë e pashëmbëllta të fisit arbor.  Pasqyrojnë jetën morale të stërgjyshërve dhe udhëheqin shpirtin e energjisë e të therorisë së brezit t’onë të ri. Ja!  Kjo ësht dita simbolike në të cilën kombi shqiptar hyn në rradhët e popujve të lirë dhe ze vëndin që i përket historisë së tij. 

Traditat e mbetura nga Pellasgët e Mitollogjisë, trimëri e trashëguar nga stërgiyshërit tanë, përmenden sot në kronollogjitë e qytetërimit.

Himni i Indipedencës t’onë këndohet nëpër oborret e kombeve të rinj të lirë . 

Te Deum-i i paradisit të Fesë s’onë meshohet sot nëpër Kishrat e botës ideale!

Na përshëndetin, na përgëzojnë, na urojnë kombet e lirë!  Na kanë zili e na falen popujt që përpiqen të harrijnë një ditë të bardhë!

Ideali që kanë ëndërruar stërgjyshërit, ay ideal i shenjtë që kanë profetizuar heronjtë, protagonistët e luftrave të lirisë s’onë, u realizua sot! 

Qëllimi i naltë për të cilin kanë luftuar ata burrërisht nëpër malet e ashpërt dhe kanë derdhur gjakun e vlefshëm të tyre : u harrit, u krye!

Intrigat e huaja dhe komeditë e mbrendëshme që u lojtën një kohë mbi kurrizin e Atdheut nuk e lanë popullin shqiptar të jetonte i lumtur në këto tetë  vjetët e para të jetës së re. 

Krijuan një situatë të rëndë dhe rrezikuan njëment tëresinë e Indipendencën e Atdheut. 

Gjatë këtyre kohëve të vështira duallë në shesh apostoj të rremë duke predikuar ungjillin magik të një bese fatale. 

Një maqavelizmë që synonte t’i mësonte popullit shqiptar disiplinën e skllavërisë dhe të çkëputte nga trup’ i shtrenjtë i Atdheut vendin më të shenjtë: VLORËN bujare që e ka falur natyra për të qenë vend i pelegrinazhit të Shqipëtarëvet. 

Forca ideale, energjia virgjine dhe patriotizmi i naltë i popullit shqiptar i kapërcyen, gjithë rreziqet që kërcënonin Atdheun.

Dita e 28 Nëndorit 1920 ësht e para që kremton sot plot enthusiazmë Shqipëria redente,  sbukuruar nga Stili gier në Shkodër me trendafilë dafine. 

Mblidhuni bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh t’Atdheut!

Faluni ! Perunjuni përpara këtij Senotafi të  shenjtë! 

Adhuroni shpirtrat e Deshmorevet! 

Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!

Gëzohuni o Shqiptarë t’arratisur në çdo anë të botës.

Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë! 

Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male!

Buçitni ju, lumenjë dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju o Dëshmorët e shenjt t’Atdheut ! Kurajo, durim dhe shpresë Ti o Shqipëria irredente!