DITA IME E FALENDERIMEVE, NË 28 NËNTORIN E VITIT 1991

LINCOLN NEBRASKA

Eduard Selami, Sekretar i Partisë Demokratike, duke u shpjeguar gjendjen e arsimit në Shqipëri dy profesorëve të Universitetit të Nebraskës, të nesërmen e Ditës së Falenderimeve. I vetmi që e ka mendjen te kamera jam unë… “Presidenti” i ardhshëm.

Nga Ruben Avxhiu

Ashtu si sot, hera e parë që kam përjetuar Ditën e Falenderimeve (Thanksgiving), në SHBA, ka qenë gjithashtu 28 Nëntor. Ishte viti 1991; një kohë shumë më e ndryshme se kjo që jetojmë sot. Isha fare i ri dhe fare rastësisht gjendesha pjesë e një prej delegacioneve të para që vizitonin Amerikën pas rënies së komunizmit në Shqipëri.

Pjesë e grupit tonë ishin figura të lëvizjes së atëhershme demokratike si Azem Hajdari, Eduard Selami, Arben Lika e të tjerë. Unë isha aq i ri sa nuk tregohet, tërësisht jashtë elementit tim dhe mbi të gjitha, pasi kishim lënë pas disa nga qytetet më të mëdha të Amerikës, ndodheshim atë ditë të ftohtë nëntori, në zemër të kontinentit: qyteti Lincoln, shteti Nebraska.

Për të na njohur me jetën amerikane, organizatorët e atij udhëtimi të mrekullueshëm kishin vendosur të mos na linin të flinim në hotele, po na kishin ndarë nëpër familje amerikane. Një çift i moshuar ishin bujtësit e mi. Njerëz të mirë e bujarë.

Shpejt do të kuptoja se i zoti i shtëpisë nuk ishte një njeri çfarëdo. Ishte profesor gjeografie në Universitetin e Nebraska-s, nga më të njohurit dhe ndonëse isha lindur e rritur në Tiranë, ai e njihte qytetin tim shumë më mirë se unë. Në një libër të vogël interesant në anglisht më tregonte se si kishte evoluar kryeqyteti i Shqipërisë, sipas planimetrive të regjistruara në vitet 20, 30 e më pas.

U gdhiva atë 28 nëntor 1991, në shtëpinë e tyre, në qytetin që mbante emrin e presidentit të famshëm. Dita e Falenderimeve është nga festat më të mëdha në SHBA. Miliona njerëz marrin udhën mes një moti shpesh të keq, për ta festuar pranë familjeve të tyre. Gjeli i detit është ushqimi më tradicional i kësaj dite. Në Shqipëri, gjeli i detit ishte për natën e Vitit të Ri, një sinjal kulturor për mua në atë kohë, për të kuptuar se bëhej fjalë për një festë vërtet të rëndësishme.

Shqipëria që kisha lënë pas e që ua tregoja miqve të mi të rinj ngjante gati ekzotike për ta, pothuajse sa edhe për mua vetë sot kur e kujtoj si në film.

Nuk e di se në cilin moment u thashë që atë ditë ishte edhe festa kombëtare e Shqipërisë dhe profesori u çua në këmbë dhe shkoi të telefononte stacionin televiziv të qytetit, një veprim që m’u duk pak i çuditshëm por që do ta kuptoja pak orë më vonë.

Pjesëmarrja në një tryezë familjare në Ditën e Falenderimeve është padyshim një prezantim interesant me kulturën amerikane. Sot, më duket një veprim me shumë mend që organizatorët e udhëtimit tonë na kishin shpërndarë nëpër shtëpitë bujare të qytetit.

Nuk e dija se çfarë po ndodhte me bashkëudhëtarët e mi, po besoj se gjendeshin në situata të ngjashme me mua. Çifti i moshuar duket se nuk kishte fëmijë, ose ata jetonin larg dhe kjo e imja nuk ishte saktësisht dreka klasike amerikane. Mirëpo, profesori kishte ftuar miq të tij, ndër ta një profesor gjithashtu të moshuar historie, me një kuriozitet të madh për Shqipërinë e për çdo gjë që kishte qenë fshehur për kaq gjatë mbas perdes së hekurt të Luftës së Ftohtë.

Sapo ishim ulur për drekën tradicionale të festës, kur në shtëpinë e profesorit mbërriti një ekip nga televizioni lokal. Do të bënin diçka për këtë rastësi të festave të dy vendeve duke më intervistuar edhe mua.

I ri dhe pa përvojë, në vend që të gëzohesha që “do të dilja në televizor”, më hyri paniku se çfarë do të thoja.

Kështu që kur gazetari u ul para meje ndërkohë që kameramani dhe tekniku merreshin me dritat. Unë i shpjegova se në grupin tonë kishte figura të rëndësishme të nivelit lartë që do të ishin më prezantues se unë për një rast të tillë.

Ai më pyeti për mbresat e udhëtimit dhe unë i tregova disa gjëra. Qeshi me të madhe kur pyetjes se pse kishim shkuar edhe në Lincoln, unë iu përgjigja duke i thënë që mesa mësuam, në Washington ka dalë një rregull i ri që të gjithë vizitorët e huaj duhet të kalojnë edhe nga Nebraska para se të kthehen.

Tregova edhe se arsyeja që na kishin ftuar ishte që të shihnim sesi funksiononte sistemi amerikan në të gjitha nivelet e tij të pushtetit nga konteja te ai federal, po nuk ndenja dot pa treguar mosbesimin tim te ideja se suksesi amerikan mund të kopjohet në Shqipëri, duke theksuar që veçantitë kulturore e historike kërkojnë zgjidhje të veçanta sipas çdo vendi.

I fola sigurisht edhe për festën kombëtare të ngritjes së flamurit dhe fundit të pushtimit 500-vjeçar nga turqit.

Në fund, pasi kisha shprallisur çfarë më kishte ardhur në mendje, gazetari më falenderoi dhe më tha se aty mbaronte edhe intervista jonë. Vetëm në atë moment e kuptova që kisha qenë duke u intervistuar. Në mendjen time gazetari po bënte lloqe, bisedë njohëse përpara se të fliste para kamerës. Unë kujtoja se ia kisha mbushur mendjen të intervistonte Selamin, Hajdarin ose Ridvan Peshkëpinë në mos Gazmend Turdiun e Republikanëve, por në fakt, kisha qenë duke folur pa u djersitur e pa hezituar për një televizion amerikan.

Kur ekipi i televizionit u largua, profesori i historisë më tha me admirim: “Ti do të bëhesh President në Shqipëri”. “Vërtet? Po pse?”, e pyeta i habitur nga ky kompliment i papritur.

“Të pashë se si komunikove para kamerave. Fillove bisedën me natyrshmërinë më të madhe. Bëre gazetarin të qeshë, fole lirisht. Marrëdhënia me kamerën është vendimtare për një politikan”, shpjegoi ai.

I ngrati profesor nuk e dinte se unë isha i tmerruar nga kamera, e se kisha cicëruar nga që kujtoja se intervista ishte anulluar. Sikur të mos mjaftonte ajo, në atë grup vizitorësh të rinj, unë isha mbase i vetmi që nuk kisha asnjë dëshirë që të bëhesha politikan. Përkundrazi, isha madje më i interesuar që të isha në vendin e njeriut që më kishte intervistuar. Unë doja të bëhesha ai që shkruan se ç’po bëjnë presidentët e jo të isha një prej tyre.

Mirëpo, i çliruar nga ankthi i intervistës e i gëzuar që më priste një drekë e bollshme, vendosa ta shijoj komplimentin e pamerituar, pa e sqaruar profesorin e moshuar për planet e mia për të ardhmen. E lashë atë dhe të tjerët të shijonin edhe ata idenë se po hanin e bisedonin me presidentin e ardhshëm të një shteti. Sa herë të vjen një rast si ky në jetë?

Dreka vijoi në fakt si një vazhdim i intervistës së gazetarit. Profesori dhe të tjerët më pyesnin për Shqipërinë e unë i tregoja për 28 Nëntorin, për Ismail Qemalin, për Skënderbeun e për komunizmin.

Në darkë, i zoti i shtëpisë bëri gati videoregjistratorin për të inçizuar daljen time në televizor. Për habinë time, unë isha lajmi i parë i emisionit të lajmeve. Unë vija nga një vend ku lajmi i parë është për të parin e vendit; diçka që ende nuk ka ndryshuar. Ishte gjithësesi zhgënjyese, sepse unë dola vetëm për pak sekonda dhe megjithë “lirshmërinë time”, përsëri m’u duk sikur mezi kisha nxjerrë fjalët nga goja. Por, dy bujtësit e mi të mirë fluturonin. Ishin të mendimit se ishte e shkëlqyer.

Kur u ndava me ta të nesërmen, më futën në çantë dy video-kaseta dyorëshe, me filmimin e intervistës sime disa sekondëshe. Ndryshe nga të gjitha gjërat që nuk më duhen, këto relike të vyera nuk i gjej dot më.

U mblodhëm përsëri me grupin për të vijuar udhëtimin nëpër SHBA dhe aty kuptova, për tmerrin tim, se të gjithë më kishin parë në TV. Mirëpo edhe ata ishin të mendimit se kisha dalë shumë mirë e se kisha bërë shumë mirë që nuk e kisha refuzuar intervistën. I gëzuar, në moment, vendosa se do të sillesha mirë me ta, nëse më lëvizte mendja dhe bëhesha vërtet një ditë president i vendit.

Comment

*