Sarajevë, 6 dhjetor 2023 – Lideri i serbëve në Bosnje-Hercegovinë, Millorad Dodik, ka dalë të mërkurën para gjykatës, në nisje të procesit gjyqësor kundër tij, lidhur me refuzimin e tij që t’i njohë vendimet e marra nga përfaqësuesi ndërkombëtar, Christian Schmidt, i angazhuar për mbikëqyrje të marrëveshjeve për paqe.
Gjyqi kundër Dodikut përbën një moment të rëndësishëm në Bosnje, duke e testuar kapacitetin e zbehtë qeveritar për ta mbajtur përgjegjës një politikan, i cili dyshohet se po shkel marrëveshjet e paqes dhe sistemin gjyqësor të vendit.
Rasti i pashembullt në gjykatën në Sarajevë, vjen disa muaj pas rritjes së tensioneve, meqë Dodik ka nënshkruar një legjislacion kontrovers që refuzon vendimet e marra nga përfaqësuesi ndërkombëtar Christian Schmidt, dhe Gjykata Kushtetuese.
Schmidt është i akuzuar për mbikëqyrje të Marrëveshjes së Dejtonit, që i ka dhënë fund luftës së përgjakshme në Bosnje në vitet ’90.
Në korrik, Schmidt i ka rrëzuar të dyja ligjet e miratuara nga Dodik.
Kjo është hera e parë që një lider politik në Bosnje është duke u gjykuar pse ka dështuar t’i respektojë vendimit e marra nga Schmidt.
Në seancën e së mërkurës, Dodik ka kërkuar që gjyqi të bartet në Banja Llukë – kryeqytetin e entitetit serb të Bosnjes – Republikën Sërpska.
Gjyqi, më pas, është shtyrë, në pritje të një vendimi për vendndodhjen e seancës së ardhshme.
Duke dalë nga gjykata, Dodik e ka sulmuar Schmidtin dhe ambasadorin amerikan në Bosnje, Michael Murphy, për “sjellje koloniale”.
“Christian Schmidt dhe Murphy po tentojnë të na e bëjnë jetën të mjerë në Bosnje”, ka thënë Dodik.
Ai përballet me pesë vjet burgim dhe ndalesë në pjesëmarrje në politikë, nëse dënohet.
Vetë Dodik, i hedh poshtë të gjitha akuzat ndaj tij.
Dodik – aleat i Kremlinit – është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, dhe shpesh ka nxitur tensionet etnike, si dhe ka kërcënuar me shkëputje të Republikës Sërpska prej Bosnje-Hercegovinës.
(REL)