Dodik: Republika Sërpska është e kërcënuar nga aleanca ushtarake Kroaci – Shqipëri – Kosovë

Beograd, 15 prill 2026 – Ish-Presidenti i Republikës Sërpska, entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë, ka thënë se ky entitet është i rrezikur nga ajo që ai e ka cilësuar si “aleancë ushtarake” mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Republika Sërpska, në thelb, është e kërcënuar nga aleanca ushtarake mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës së vetëshpallur. Ne jemi të shqetësuar, duke pasur parasysh se komponenti kroat në Bosnjë e Hercegovinë është i orientuar drejt këtyre koncepteve. Ky është një faktor shkatërrues për rajonin”, ka shkruar Dodik në rrjetet sociale.

Sipas tij, “aleanca ushtarake” mes Kosovë, Shqipërisë dhe Kroacisë përbën kërcënim për  sigurinë e serbëve, por është ushtria e Serbisë ajo që garanton siguri për popullin serb.

“Qëllimi i aleancës është të kërcënojë sigurinë e serbëve dhe komponenti mbrojtës i Ushtrisë së Serbisë garanton paqen për popullin serb”, ka theksuar Dodik.

Ai e ka cilësuar “mbresëlënës” armatimin e Ushtrisë së Serbisë.

“Në një kohë kur bota globale është në luftë, është e rëndësishme të thuhet se angazhimi për fuqizimin e Forcave të Armatosura të Serbisë është mbresëlënës”, ka theksuar ai.

Dodik e ka bërë këtë deklaratë pas takimit të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Serbisë, në të cilin ka marrës pjesë edhe ai, bashkë me zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska.

Në fakt, Dodik ka përsëritur atë që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e thotë qysh prej nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit në fushë të mbrojtjes midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Vuçiq përsërit vazhdimisht se kjo marrëveshje përbën rrezik për Serbinë dhe paralajmëron forcimin e kapaciteteve luftarake të Serbisë. Ai tha se institucionet e Serbisë do të vazhdojnë të punojnë “për forcimin e shtetit dhe për mbrojtjen e interesave nacionale serbe në rajon”.

Vuçiq tha se ai ka propozuar miratimin e planin për robotizimin e Forcave të Armatosura të Serbisë. Sipas tij, ky plan përfshin krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe me dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, si edhe për përdorimin e municioneve “fluturuese”.

(r.m.)

Comment

*